Qeveria e re, nis rrjedhja e afateve

Pas zyrtarizimit të djeshëm të dorëheqjes së kryetarit të qeverisë, fillojnë të vijojnë edhe afatet kushtetuese për zgjedhjen e Qeverisë së re.

Marketing

Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Rregullorja e Kuvendit e rregullojnë procedurën në rast dorëheqjeje të kryetarit të Qeverisë.

Në nenin 93 të Kushtetutës është theksuar se “Dorëheqja e kryetarit të Qeverisë, vdekja e tij ose pengesa e përhershme që ta kryejë funksionin, tërheqin dorëheqje të Qeverisë. Qeveria e cila ka dhënë dorëheqje ose së cilës i është ndërprerë mandati, mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re”.

Në nenin 219 të Rregullores së Kuvendit, qëndron se “Qeveria, kryetari i Qeverisë ose anëtar i Qeverisë mund të japin dorëheqje. Dorëheqja e Qeverisë ose e kryetarit të Qeverisë, parashtrohet te kryetari i Kuvendit në formë të shkruar dhe mund të shpjegohet… Dorëheqjen e Qeverisë ose kryetarit të Qeverisë, kryetari i Kuvendit menjëherë e dorëzon te deputetët dhe te presidenti i Republikës”.

Në nenin 220 më tutje thuhet se “Kuvendi në mbledhjen e parë të ardhshme, pa debatuar, konstaton se kryetarit të Qeverisë, Qeverisë dhe anëtarit të Qeverisë, mandati iu ndërpritet në ditën e mbajtjes së mbledhjes”.

Më pas sipas nenit 90 të Kushtetutës, presidenti i shtetit është i obliguar në afat prej dhjetë ditësh t’ia besojë mandatin për përbërjen e Qeverisë një kandidati të partisë, gjegjësisht partive që kanë shumicë në Kuvend.

Mandatari në afat prej 20 ditësh nga dita e dorëzimit të mandatit, Kuvendit i dorëzon program dhe e propozon përbërjen e Qeverisë. Qeverinë me propozimin e mandatarit dhe në bazë të programit, e zgjedhë Kuvendi me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve.