Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti sot ka mbushur 100 ditë, por duke kaluar një situatë të rëndë të funksionimit të saj për shkak të mocionit të mosbesimit dhe rrëzimit të saj, por edhe situatës me pandeminë e koronavirusit.
Ajo që nga dita e 53 po funksionon si Qeveri në detyrë, për shkak se u shkarkua nga mocioni i ngritur nga LDK-ja, si partnere e koalicionit, pas mosmarrëveshjeve për bashkëqeverisje.
Qeveria në detyrë sot mban mbledhje, ku kryeministri në detyrë do të raportojë për 100 ditshin e qeverisjes. Mbledhja e Qeverisë do të mbahet në ora 14:00.
Qeveria Kurti e cila u votua më 3 shkurt u rrëzua pas 53 ditësh, me një mocion të mosbesimit që kishte iniciuar partia në koalicion, Lidhja Demokratike e Kosovës, e që ishte përkrahur edhe nga partitë opozitare. Për rrëzimin e Kurtit më 25 mars, kishin votuar 82 deputetë. Funksionimi i saj do të varet nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila o do ti jap dritë jeshile funksionimit të saj deri në zgjedhjet e parakohshme pas pandemisë apo gjatë saj, ose do t’i jap të drejtën që LDK të formojë Qeverinë e udhëhequr nga Abdulla Hoti, një koalicion i përbashkët me AAK, NISMA-AKR, Lista Serbe dhe pakicat e tjera.