Qeveria lavdërohet me ndihmën ndaj firmave

Sikurse çdo fund vit tjetër, edhe në këtë fundvit nuk ka se si të mungoj një konferencë për media, në të cilët autoritetet thurin lavde për punën e tyre. Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike Fatmir Bytyqi theksoi se këtë vit kanë paguar një shumë rekord të mbështetjes financiare për kompanitë. Ai tha se janë paguar 39,6 milionë euro për 513 kompani, të cilat në vitin e fundit 2022 kanë realizuar investime totale prej 153,3 milionë euro. Bytyqi theksoi se në këto gjashtë vite, mbështetja e shtetit për kompanitë është rritur për 12 herë – nga 3.1 milionë euro në pagesën e parë në 2018, në 39.6 milionë euro këtë vit. Përmes Ligjit për mbështetjen financiare të investimeve trajtim të njëjtë kanë kompanitë vendase dhe të huajat.

Marketing

“Përmes Ligjit për mbështetjen financiare të investimeve janë investuar mbi gjysmë miliard euro në vendin tonë. Dhe për mua ky është një akt i lartë patriotik. Së bashku, ne kontribuojmë në ristrukturimin e ekonomisë vendase dhe ju merrni mbështetje reale që është e parashikueshme dhe i ndjek nevojat tuaja zhvillimore”, deklaroi Fatmir Bytyqi, Zv/kryeministër për çështje ekonomike.

Gjithsej 919 kompani kanë investuar mbi 500 milionë euro në gjashtë vitet e fundit dhe u janë paguar 100 milionë euro mbështetje financiare nga shteti. Ky është i gjithë portofoli i Ligjit për Mbështetjen Financiare të Investimeve, bëri të ditur ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

“Të gjitha rajonet që nuk kanë mundësi komunat apo nuk kanë dëshirë të krijojnë infrastrukturë në zonat industriale, me ligjin e propozuar të Zonave industriale dhe të gjelbëruara, këtë do ta bëj Qeveria, përmes Drejtorisë së Zonave zhvillimore teknologjike industriale që të hapen përfaqësi të tyre nëpër regjione me qëllim që të bëhen investime të tilla. Qeveria është e përkushtuar në kompanitë vendore që të krijohen sa më shumë vende të reja të punës dhe mirë të paguara”, u shpreh Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.

Sipas të dhënave zyrtare rreth 26,6 milion euro mbështetje financiare është bërë në zonat jashtë Shkupit, që i bie se 1/3 e hises ka përfunduar në zonat industriale të kryeqytetit. Regjioni më pak i mbështetur është ai Verilindor me vetëm 3,3%, pason regjioni i Vardarit me 5,9% dhe Jugperëndimor me 6,7%. Në nivel jo të mjaftueshëm është mbështetur rajoni i Pollogut me vetëm 7,4% dhe të Pellagonisë me 11,3%. Më shumë të përfaqësuara janë rajoni lindor me 17,3% dhe Juglindor me 15,4%, për të spikatur regjioni i Shkupit me 32,7% të mbështetjes financiare. /Alsat.mk