Qeveria mbajti mbledhjen e 50-të, këto janë vendimet

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e 50-të, që u mbajt përmes video konferencës, miratoi ndryshimet dhe plotësimet e konkluzionit nga mbledhja e kaluar, në lidhje me Marrëveshjen për bashkëpunim për vendet e Ballkanit Perëndimor, në fushën e njohjes reciproke të diplomave dhe gradave shkencore të lëshuara nga institucionet e arsimit të lartë dhe institucionet e tjera të autorizuara.

Marketing

Në përputhje me konkluzionet, nënshkrues i kësaj Marrëveshjeje, e cila do të nënshkruhet në Samitin e Ballkanit të Hapur më 8 qershor në Ohër, do të jetë Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ndërsa nga ana e Republikës së Serbisë Marrëveshjen do ta nënshkruajë Kryetari Aleksandar Vuçiq dhe në emër të Republikë së Shqipërisë, Kryeministri Edi Rama.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë u pranua propozimi për vazhdimin e afatit të Vendimit për ekzistimin e gjendjes së krizës në një pjesë të territorit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, për shkak të rrezikut të lartë të rritjes së vëllimit të hyrjeve dhe kalimit transit të emigrantëve nëpër territorin e shtetit dhe për shkak të mbrojtjes së shëndetit publik nga migrimi ilegal në kushte të ekzistimit të pandemisë së shpallur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për virusin SARS-CoV-2 dhe parandalimin e përhapjes së tij, me të cilin rrezikohet siguria, shëndeti dhe prona e popullsisë deri më 31 dhjetor të vitit 2022.