Qeveria prej sot fillon fushatën “Tani gjithçka është publike, korrupsioni nuk iu paguhet” e cila ka për qëllim zhdukjen e plotë të këtij fenomeni në shoqëri. Qëllimi është mobilizimi dhe inkurajimi i qytetarëve dhe administratës publike në sigurimin e mekaniymave mbrojtës dhe rezistencës ndaj korrupsionit.
Bëhet fjalë për një fushatë të gjerë komunikimi me qëllim të informimit të publikut në lidhje me këtë fenomen dhe njohjes dhe denoncimit të korrupsionit. Janë bërë tre video në të cilat paraqiten raste të korrupsionit dhe mekanizmave mbrojtës, ndërsa do të krijohet edhe një uebfaqe e veçantë interaktive.
Kryeministri Zoran Zaev, i cili sot së bashku me zëvendëskryeministrin përgjegjës për luftë kundër krimit dhe korrupsionit, zhvillimit të qëndrueshëm dhe burimeve njerëzore Ljupço Nikollovski promovuan fushatën, tha se Qeveria dhe qytetarët janë në të njëjtën anë në luftë kundër korrupsionit.
“Nuk ekziston korrupsion i vogël ose o madh, as qasje e ndryshme midis korrupsionit të madh dhe atij të vogël. Qasja është e njëjtë, ne duhet t’i japim fund korrupsionit pavarësisht se nga vjen dhe cilat janë dimensionet e tij. Duhet të qëndrojmë para rrugës së gjithë atyre që korruptojnë shoqërinë, kurse atë mund ta bëjmë vetëm së bashku”, tha Zaev në gjatë pres-konferencës në Qeveri.
Ai porositi se askush nuk është i mbrojtur dhe se duhet me forca të përbashkëta dhe me ndihmën e qytetarëve të çrrënjoset ky fenomen.
“Ndihma më e fortë që duhet të marrim është nga qytetarët. Ata duhet të denoncojnë”, tha Zaev.
Fushata, tha Zaev, duhet parë si kontribut për komunikimin e sinkronizuar dhe për përmbushjen e prioriteteve të përcaktuara në Strategjinë Nacionale për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit 2021-2025.
Zëvendëskryeministri Nikollovski tha se në periudhën e kaluar po ndryshon qasja dhe se tani secili mund që vetëm me disa klikime t’i shohë të gjitha prokurimet publike, pjesëmarrësit në tenderë dhe informacione të tjera.
“Kjo është një luftë në të cilën secili individ është i rëndësishëm. Rezultatet varen nga të gjithë ne dhe pres që së bashku të arrijmë qëllimin – institucionet të veprojnë në mënyrë të koordinuar, kurse qytetarët të raportojnë”, tha Nikollovski.
Ai theksoi se fushatës i kishin paraprirë analiza të gjera dhe të thella dhe është vlerësuar se ekziston nevojë për këtë lloj komunikimi me qytetarët.
“Duhet të arritet ndërgjegjësimi i qytetarëve për njohjen dhe t’i inkurajojmë që ta paraqesin korrupsionin. Kemi mbështetje të fortë me ekspertizë edhe nga bashkëpunëtorët tanë të huaj dhe në fushatë do të përfshihet mbështetja konsultative nga ana e tyre”, tha Nikollovski.
Në 15 ditët e ardhshme, siç njoftoi Nikollovski, do të promovohet sistemi i centralizuar për raportimin e korrupsionit dhe monitorimin e të gjitha rasteve brenda institucioneve, i krijuar me mbështetjen e USAID.