Lidhur me situatën aktuale të rritjes së çmimeve të produkteve në tregje dhe bazuar në raportin e dorëzuar nga Inspektorati Shtetëror i Tregut, Qeveria miratoi përfundimet dhe vendimet e mëposhtme:
Qeveria i ngarkoi Ministrinë e Ekonomisë që të propozojë masën e ardhshme, Vendim për kufizimin e marzhës me 10 për qind në tregtinë me pakicë dhe 10 për qind në tregtinë me shumicë për produktet ushqimore bazë, të njëjtat 73 grupe produktesh që ishin në shportat e mëparshme.
Por, e njëjta të plotësohet edhe me produkte higjienike, si detergjentët, si dhe me ushqim për foshnja dhe produkte të tjera jo ushqimore, për të cilat është vërejtur një marzhë shumë e lartë, ndërsa janë pjesë e nevojave bazë të qytetarëve. Presim që të përfshihen mbi 100 grupe produktesh. Kjo masë pritet të hyjë në fuqi shumë shpejt dhe do të zgjasë deri më 30.04.2025.
Qeveria u rekomandon të gjitha marketeve të fillojnë procedurën për publikimin transparent të çmimeve të të gjitha produkteve dhe përditësimin e tyre në baza ditore. Qëllimi i këtij rekomandimi është të rritet transparenca, duke u mundësuar qytetarëve të vendosin vetë se ku të blejnë, të shohin ndryshimet në çmime, ndërsa vlerësojmë se kjo qasje, e cila ka karakter rekomandimi dhe jo kufizimi, do të ndihmojë në harmonizimin e çmimeve të produkteve.
Gjithashtu, Qeveria e obligoi Ministrinë e Ekonomisë dhe të Punës që të organizojë takim urgjent me të gjitha institucionet kompetente, si Inspektorati Shtetëror i Tregut, ministrinë e Financave dhe atë të Bujqësisë, KMK dhe të tjerët, ku mund të shqyrtohen propozime dhe masa të tjera me synim një zgjidhje afatgjatë të kësaj situate.
Po ashtu, u miratua edhe Programi për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Energjisë në rrezik social për vitin 2025, i cili parashikon që personat që plotësojnë kushtet e përcaktuara në këtë program të përfitojnë mbështetje financiare në formën e një uljeje prej 1000 denarësh në faturën mujore të energjisë elektrike për një periudhë 12-mujore.
Link