Nëse funksionarët e ASH-së që nuk ndjekin kreun e tyre Taravarin me dorëheqje, do të mbesin ose jo pjesë e ekzekutivit, do të vendoset në mënyrë plotësuese, thotë kryeministri Hristijan Mickoski. Ai deklaroi se një ditë më parë është takuar me liderët e VLEN, por se kjo çështje duhet të shihet edhe në kontekst të zgjedhjeve lokale.
Mickoski konfirmoi se ministria e Shëndetësisë i mbetet VLEN-it.
“E logjikshme është si kryetar i qeverisë të kem të drejtë që nëse me disa persona nuk mund të bashkëpunoj të mund të them jo sepse parimet në qeveri si deri në tani ka skaduar dhe ne punojmë ndryshe pavarësisht përkatësisë politike dhe etnike. Ai portofol i mbetet VLEN-it. Pres që të kemi propozim gjatë javës së ardhshme”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Kreu i ASH-së Arben Taravari, një ditë pas konstatimit të dorëheqjes nga pozita e ministrit, ka udhëtuar drejt Tiranës, për takim me kryeministrin Rama dhe me përfaqësues të tjerë politik atje.
Ai për RTSH thotë se qëllimi i këtyre takimeve është të bisedohet për zhvillimet politike, ngecjen e eurointegrimeve dhe arsyet e largimit të tij. Taravari përsëri se një ndër arsyet është që shumë prej premtimeve të VLEN nuk janë realizuar.
“Të gjitha partitë politike shqiptare në Maqedoni shumë të rëndësishme i kanë raportet me Tiranën dhe Prishtinën dhe ne mundohemi t’i mbajmë këto raporte, i vlerësojmë dhe mendojmë se duhet të vazhdojë bashkëpunimi pavarësisht në pozitë ose opozitë”, deklaroi Arben Taravari, Kryetar i ASH-së.
Pavarësisht kësaj deklarate, Taravari mungoi në takimin e fundit të liderëve të VLEN te kryeministri i Kosovës Albin Kurti. Dihet tashmë publikisht që dy kryeministrat Rama dhe Kurti kanë bërë përzgjedhjet e tyre sa u takon të preferuarve në politikën e Maqedonisë. Kurti ka qenë faktor Bashkimi dhe mbështetës i VLEN kurse Rama nga ana tjetër, mbështetës i BDI-së dhe kritikues i bashkimit të opozitës së atëhershme shqiptare, në kohën e formimit të koalicionit VLEN. /Alsat.mk