Qeveria ka caktuar çmimet maksimale për pemët dhe perimet, të cilat do të vlejnë nga dita e mërkurë apo 5 prill dhe do të zgjasin deri në fund të muajit. Më këtë masë janë përfshirë 11 produkte, të cilat nuk do të mund të shiten mbi këto çmime edhe atë domatet jo më shumë 70 denarë, trangujt e freskët jo më shumë se 75 denarë, qepët 60 denarë, specat jo më shumë se 90 denarë, fasulja 75 denarë, thjerrëzat 110 denarë, lulelakrat 70 denarë, bananet 70 denarë, portokalli 55 denarë, mandarinat 60 denarë, si dhe limonat 55 denarë. Ministri Beketeshi i siguroi tregtarët se do të kenë fitim, ndërsa qytetarët se i pret ulje e çmimeve në periudhën në vazhdim.
“Konsiderojmë që edhe tregtarët me pemë dhe perime nuk do të kenë humbje në këto produkte, përkundrazi është paraparë edhe marzhë, e cila do t’u mbetet duke u thirrur në këto të dhëna. Dua të siguroj të gjithë qytetarët se edhe inflacioni edhe çmimet e produkteve ushqimore dhe emergjencave janë në rënie dhe do të kemi rënie të konsiderueshme gjatë muajit prill dhe jam më se i bindur që në këtë mënyrë do të vazhdojë edhe në muajt në vazhdim.”, – deklaroi ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Nga inspektorati i tregut thonë se të gjitha ata që nuk e respektojnë këtë vendim do të përballen me dënime të mëdha nga 800-10 mijë euro.
“Askush nuk është mbi ligjin, nuk do të lejoj që të ketë përjashtime, të gjithë që do t’i thyejnë rregullat, ligjet do të sanksionohen me dënim adekuat. Dënimet janë të mëdha nga 800 deri 10 mijë euro.”, – theksoi drejtori i Inspektoratit të tregut, Goran Trajkovski.
Bekteshi i pyetur se sa gjatë përpilimit të këtij vendimi janë konsultuar edhe me sektorin e biznesit dhe odat ekonomike, të cilat janë kundër idesë për ngrirje të çmimeve, tha se odat ekonomike mbrojnë interesin e anëtarëve të tyre, ndërsa institucionet duhet të mbrojnë edhe konsumatorin edhe biznesin.
“Sa i përket deklaratave nga përfaqësues të sektorit të biznesit, ju bëj thirrje që edhe nëpër studiot televizive t’i diskutojmë tabelat, nëse konsiderojnë se marzhë prej 150 deri 250 % është në rregull në kohë krizash vetëm e vetëm që mos të heqin dorë nga ajo të cilën e kanë planifikuar si profit vjetor, ajo nuk do të lejohet nga ministria e ekonomisë dhe qeveria në përgjithësi.”, – u shpreh ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Ndryshe ky kufizim i çmimeve është në vazhdën e ngrirjes së çmimeve të bukës, qumështit, makaronave, si dhe produkteve higjienike. Deri tani janë kryer mbi 1.800 kontrolle dhe janë shqiptuar mbi 20 dënime në vlerë prej mbi 2,5 milion denarë.