Ndonëse viti 2018 ishte i dobët sa i përket pjesës infrastrukturore, qeveria paralajmëron ofensivë ndërtimore për vitin 2019.
Me 1 miliard e 270 milion euro, qeveria parashikon ndërtimin e 770 kilometrave rrugë. Sipas kryeministrit Zaev dhe ekipit të tij ekonomik, ndërtimi i këtyre rrugëve është i rëndësishëm për të pasur zhvillim ekonomik, për t’u lehtësuar transporti i udhëtarëve, por edhe i mallrave dhe shërbimeve.
Për momentin po ndërtohen dy autostrada, 4 rrugë ekspres dhe po rehabilitohen rreth 20 rrugë më të mëdha rajonale për të cilat projekte janë siguruar mjete financiare.
“Autostrada Kërçovë – Ohër në gjatësi prej rreth 60 kilometrave vazhdon të ndërtohet deri në realizimin e plotë. Ky projekt është me rëndësi për shkak se do të sigurohen kushte për zhvillimin e turizmit në Ohër. Fillojmë edhe me ndërtimin e autostradës së re Shkup – Bllacë, me të cilën Maqedonia fiton konektivitet me fqinjin tonë, Kosovën. Udhëtimi prej Shkupit në Prishtinë do të shkurtohet nga 2 orë në 45 minuta”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.
“Projektet që kanë filluar dhe janë në vijim janë me vlerë prej 1 miliard e 35 milion euro dhe në gjatësi prej 363 kilometra rrugë. Kurse ajo që do të fillojë në vitin 2019 është ndërtimi i 420 kilometrave rrugë, në vlerë prej 263 milion euro”,- deklaroi zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev.
“Për këto projekte janë siguruar fonde nga bankat, janë siguruar fonde nga buxheti, si dhe fonde nga ndërmarrjet publike, ashtu që absolutisht asnjë gjë që është thënë këtu nuk është paushall. Prej nesër, nëse lejojnë kushtet e motit, mund të fillojë ndërtimi për 40 rrugë rajonale”,- tha ministri i transportit dhe lidhjeve, Goran Sugarevski.
Nga ekzekutivi thonë se pavarësisht nëse do të vendoset për t’u mbajtur zgjedhje të parakohshme parlamentare, ndërtimi i këtyre projekteve nuk do të stopohet.