Qeveria shfuqizon vendimin për rritjen e pagave të zyrtarëve qeveritarë

Qeveria e re e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, ka miratuar shfuqizimin e vendimit të qeverisë së kaluar që udhëhiqej nga Ramush Haradinaj, për rritjen e pagave për zyrtarët qeveritarë.

Marketing

Për rritjen e pagave, qeveria e kaluar kishte marrë vendim në dhjetor të vitit 2017.

“Pagat kthehen me rregullimin e mëhershëm. Ky vendim nuk ka efekt në Gjykatën Kushtetuese e as në sistemin juridik”, ka thënë kryeministri Kurti.

Qeveria Haradinaj kishte vendosur për rritje të pagave për 100 për qind. Sipas atij vendimi, kryeministrit i rritej paga nga 1500 euro në 2950 euro.

Rritje të pagave kishte edhe për ministrat dhe pozitat tjera qeveritare.

Kjo çështje ishte dërguar nga deputetët e atëhershëm të Vetëvendosjes në Gjykatën Kushtetuese, mirëpo përmes një vendimi, kjo Gjykatë kishte thënë se rritja e pagave nuk është në kundërshtim me Kushtetutën.

Pas vendimit të qeverisë Kurti, ka reaguar ish-kryeministri, Ramush Haradinaj. Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook ai ka thënë se ky është një “veprim populist, i panevojshëm, që në realitet nuk sjellë asnjë ndryshim efektiv”.

“I tillë është edhe vendimi për pagat, i cili i subordinohet në plotni Ligjit për Pagat e Sektorit Publik, tashmë të votuar nga Parlamenti i Kosovës, dhe i cili aktualisht gjendet për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e Haradinajt.

Narrativa mashtruese e sjellë nga rruga, po vazhdon tani në institucione, duke u manifestuar përmes veprimeve populliste…

Publiée par Ramush Haradinaj sur Mercredi 12 février 2020

Ligji për Pagat është duke u shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese.

Më 12 dhjetor 2019 kjo Gjykatë ka vendosur që të pezullohet zbatimi i Ligjit për pagat në sektorin publik.

“Masa e përkohshme në kohë zgjatje deri më 30 mars 2020, nga data e nxjerrjes se kë tij vendimi” dhe të “pezullohet menjëherë zbatimin e këtij ligji në kohëzgjatje të njëjtë”, ishte thënë në vendimin e Gjykatës.

Ligjin për paga, më 6 dhjetor vitit 2019 në Gjykatën Kushtetuese e ka dërguar institucioni i Avokatit të Popullit, për siç thuhet “vlerësimin e përputhshmërisë” së këtij ligji me Kushtetutën.

Vendimi për koordinatorët nacionalë

Qeveria Kurti, gjithashtu mori vendim që të shfuqizojë të gjitha vendimet për emërimet e koordinatorëve nacional, pozita këto që ekzistonin gjatë mandatit të ekzekutivit të kaluar.

Sipas këtij vendimi, qeveria ka shkarkuar koordinatorin nacional për reforma shtetërore, koordinatorin për ndryshime klimatike dhe çështje të ambientit, koordinatorin nacional për kulturë, rini dhe sport, koordinatorin nacional kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, koordinatorin nacional për Integrim dhe anëtarësim në NATO, pastaj ë shfuqizuar vendimi për emërimin e udhëheqësve të projektit për menaxhimin dhe kontrollin e qenve endacakë, si dhe është shfuqizuar vendimi për themelimin e task-forcës kundër narkotik tek të rinjtë dhe siguri në shkolla.