Qeveria shkarkoi Bordin e Telekomit të Kosovës

Qeveria e Kosovës ka shkarkuar Bordin e ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës. Vendimi është marrë në mbledhjen e rregullt të qeverisë me propozimin e ministres së Tregtisë dhe Ekonomisë, Rozeta Hajdari, e cila tha se ky veprim është i domosdoshëm pasi që ndërmarrja në fjalë është sjellë buzë falimentimit.

Marketing

“Ndërmarrja është në gjendje të rëndë dhe ndodhet në prag të falimentimit. Konstatoj domosdoshmërinë e vendimit të menjëhershëm dhe i propozoj qeverisë që të shkarkohet Bordi i ndërmarrjes publike Telekomit”, tha ministrja Hajdari.

Telekomi i Kosovës është kompani publike e transformuar në shoqëri aksionare, në të cilën operon telefonia fikse dhe ajo mobile Vala. Qeveria e Republikës së Kosovës është pronare e 100 për qind të aksioneve të Telekomit të Kosovës.

Telekomi i Kosovës i ishte nënshtruar në të kaluarën dy herë procesit të privatizimit, mirëpo asnjëri proces nuk është finalizuar me sukses.

Në rastin e privatizimit të 75 për qind të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës, në vitin 2013 kompania “Axos- Capital” ishte shpallur fituese, me një vlerë prej 277 milionë eurosh. Por, i gjithë procesi ishte anuluar më pastaj.

Telekomi i Kosovës sipas Sindikatës së Punëtorëve është futur në krizë financiare si pasojë e mosmenaxhimit të duhur, nënshkrimit të kontratave të dëmshme dhe keqpërdorimeve të shumta që janë bërë ndër vite.

Një privatizim i mundshëm i kompanisë po kundërshtohet nga Sindikata e Punëtorëve të Telekomit të Kosovës. Lamih Balaj, kryetar i kësaj sindikate, i tha Radios Evropa e Lirë, më 3 shkurt, se privatizimi në këtë kohë është i gabuar.

“Pse duhet të shkohet në privatizim në këtë fazë kur Telekomi po përballet me probleme financiare të cilat mund të zgjidhen. Telekomi ka qenë një kompani me një vlerë mbi 1 miliard euro. Po tentohet të privatizohet Telekomi në mënyrë që të mbyllet krimi që është bërë në këtë ndërmarrje. Nuk do të lejojmë privatizimin. Telekomi mund të kthehet në treg në rast se qeveria që vjen nuk e proklamon falimentimin, por kërkon përgjegjësi nga menaxhmenti”, ka thënë ai.

Naim Gashi, ekspert për çështje ekonomike, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, tha se në këtë kompani kanë ndodhur afera e skandale të mëdha korruptive që nga përfundimi i luftës dhe për këtë arsye, shton ai, nevojitet hetim i pavarur dhe profesional në mënyrë që të gjenden përgjegjësit për këtë gjendje.