Me Oliver Spasovskin dhe dy ministrat nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Naqe Çulev, ministër i brendshëm dhe Rashela Mizrahi ministre e Punës dhe Politikës Sociale, Qeveria teknike sot mbajti seancën e saj të parë. Në seancë u emëruan zëvendëskryeministrat në kabinetin e Spasovskit, Sheqerinska, Osmani dhe Duraku, ndërsa në vend të Koço Angjushevit që u tërhoq nga pozita, vjen Mila Carovska. Me hyrjen e VMRO-DPMNE-së në Qeveri, opozita tregoi hipokrizinë dhe patriotizmin e saj të rrejshëm, akuzoi partia në pushtet.
Kandidatët për ministra nga radhët e VMRO-së në Qeverinë kalimtare, nuk e kishin problem të nënshkruajnë dhe të japin deklarata si ministra të Maqedonisë së Veriut, duke deklaruar se do e respektojnë Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Maqedonisë së Veriut. E pranuan edhe kryetarin e Kuvendit, Talat Xaferin, për të cilin thoshin se nuk e njohin si kryetarë. Seanca e djeshme është dëshmi se VMRO-DPMNE lufton thjeshtë për pushtet duke treguar patriotizëm të rrejshëm dhe hipokrizi – deklaroi Hari Lokvenec, LSDM.
Mickovski u kërcënua se do publikojë, sipas tij, indikacione serioze për keqpërdorime nga ditët e fundit të qeverisjes së Zoran Zaevit. Nga ministrat e VMRO-së në Qeverinë teknike pret të punojnë vetëm sipas ligjit.
Nëse mendoni se ne do ta injorojmë këtë realitet, atëherë do ishim hipokritë, siç e bëjnë këtë shkruesit e LSDM-së kohëve të fundit, ku deri dje kishin gojën plot me parashtresën e re, ndërsa sot në faqet e tyre në Facebook kanë vetëm Maqedoni. Kjo është hipokrizi. Nuk është hipokrizi kjo që e bëjmë ne, ku përpiqemi më shumë mund ta mposhtim këtë sistem të kalbur – tha Hristijan Mickovski, kryetarë i VMRO-DPMNE-së.
Dje dy ministra nga radhët e opozitës nuk u paraqitën në takimin me presidentin e shtetit Pendarovski. Mickovski thotë se nuk është praktikë që ministrat të shkojnë tek presidenti pas emërimit të tyre dhe tha se ata janë të përkushtuar në kompletimin e kabineteve të tyre. Qeveria teknike ka mandat 100 ditë dhe duhet të bëjë organizimin e zgjedhjeve të 12 prillit. Lideri opozitarë nuk lë hapësirë për shtyrjen e zgjedhjeve, edhe pse ankohet se partia e tij në zgjedhje futet me pasuri të ngrirë.