Qeveria në seancën e mbrëmshme pas shqyrtimit të Procesverbalit dhe propozimeve nga Takimi i parë i Shtabit Kryesor Koordinues të Krizës për sigurim të koordinim të plotë lidhur me parandalimin e përhapjes së koronavirusit Kovid-19, u rekomandon Këshillit Gjyqësor dhe Gjykatës Supreme të Republikës së Maqedonisë së Veriut ta shqyrtojnë mundësinë dhe të rekomandojnë që kryetarët e gjykatave të bëjnë plan për shtyrjen e gjykimeve.
Siç theksohet në kumtesën e pres shërbimit qeveritar, nga plani duhet të përjashtohen ato lëndë gjyqësore në të cilat ekziston nevojë për urgjencë të veprimit, siç janë lëndët të cilat para së gjithash janë para vjetërsimit, lëndë në të cilat janë shqiptuar masa paraburgimi apo masa të tjera për sigurimin e pranisë, si dhe lëndë te të cilat seriozisht do të shkelej e drejta e gjykimit në afat të arsyeshëm, lëndë për të cilat merr vendim pa debat publik dhe të ngjashme.
Njëherit, i jepet rekomandim Odës së Noterëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Odës së Avokatëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Odës së Përmbaruesve të Republikë së Maqedonisë së Veriut t’i zbatojnë të gjitha masat, konkluzionet dhe rekomandimet e miratuara nga ana e Qeverisë.