Sot në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut u mbajt një takim ku morën pjesë Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini, Ministri i Vetëqeverisjes Lokale Goran Mileski, Ministri i Brendshëm Agim Nuhiu, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave Trajan Dimkovski, Kryetari i komunës së Bogovinës Albon Xhemaili dhe përfaqësues të bashkësive lokale të fshatrave Siniçan dhe Urviç, ku u diskutuan problemet me ujësjellësin në këto dy fshatra. Qëllimi i takimit ishte të bisedohet me të gjithë palët e interesuara për të kuptuar arsyet e situatës, si dhe të shohim se çfarë ka bërë komuna deri më tani për furnizimin me ujë të pijshëm për popullatën lokale. Ministri Nuhiu theksoi se prania e policisë në vendin ku filluan aktivitetet e punës në periudhën e kaluar ishte ekskluzivisht me kërkesë të banorëve të fshatrave përreth dhe vlerësimin e policisë sipas planit të përgatitur operacional, në mënyrë që të shmangen shqetësimet serioze të rendit publik dhe paqes. Pasi të gjithë palët e interesuara patën mundësinë për të shprehur mendimet e tyre për situatën në lidhje me ndërtimin e sistemit të furnizimit me ujë për banorët e Siniçanit, u konstatua që policia ishte mirëpritur nga të gjithë për të ruajtur rendin dhe paqen, ndërsa nga kryetari i komunës së Bogovinës u kërkua që të organizohet një takim i përbashkët me përfaqësuesit e të dy fshatrave nesër për të kapërcyer mosmarrëveshjet dhe për të gjetur një zgjidhje të përbashkët. Nga sa u prezantua në takim, u konkludua se komuna ende nuk ka përgatitur dokumentacionin e nevojshëm të projektit për ndërtimin e sistemit të ujësjellësit për fshatin Siniçan. Për të zgjidhur më shpejt problemin dhe për të siguruar ujë të pijshëm për banorët, zyrtarët e pranishëm qeveritarë shprehën gatishmërinë që Qeveria të mbështesë të gjithë palët e interesuara dhe të ndihmojë komunën në sigurimin e dokumentacionit teknik të nevojshëm, në mënyrë që të sigurojë një zgjidhje të qëndrueshme për çështjen e furnizimit me ujë për popullsinë në këtë vendbanim.