Qindra mijëra tifozë përpiqen ta shohin ekipin e Argjentinës në festën e madhe

Qindra mijëra tifozë dolën në rrugët e Buenos Airesit të martën, të etur për të parë autobusin e hapur që transportonte ekipin e Argjentinës që fitoi një nga finalet më të mëdha të Kupës së Botës të të gjitha kohërave.

Marketing

Autobusi u largua nga selia e Federatës së Futbollit të Argjentinës jashtë kryeqytetit dhe po lëvizte ngadalë ndërsa mijëra njerëz ishin rreshtuar në autostradë, shumica prej tyre duke valëvitur flamujt argjentinas. Kapiteni i skuadrës Lionel Messi dhe pjesa tjetër e lojtarëve i përshëndetën tifozët nga autobusi teksa mbanin lart trofeun e Kupës së Botës pasi siguruan titullin e tretë për Argjentinën dhe të parin që nga viti 1986.

“Kjo është çmenduri, është e papërshkrueshme”, tha Brian Andreassi, 23 vjeç, ndërsa ecte në qendër të qytetit dhe kishte veshur fanellën e ekipit. “Nuk kam fjalë”.

Kupa e Botës dhe suksesi i skuadrës së drejtuar nga Messi ka sjellë një lajm të mirë shumë të nevojshëm për një vend që ka ngecur në acarim ekonomik prej vitesh.

“Ka një bashkim të jashtëzakonshëm mes të gjithë argjentinasve – unitet, lumturi. Është sikur të thithësh një ajër tjetër, ka një energji tjetër në ajër”, tha Victoria Roldan. “Trupi dhe zemra ime janë gati të shpërthejnë”.

Duke mbajtur një kopje të trofeut të Kupës së Botës, 32-vjeçarja u drejtua në qendër të qytetit me motrën e saj, Mariana, ndërsa u përpoqën të gjenin vendin më të mirë për të parë një paraqitje të shkurtër të ekipit dhe në veçanti kapitenit të tij.

“Ne po shkojmë aty ku thonë se Leo do të jetë, sepse po vdesim ta shohim atë”, tha Roldan. “Ta shohim atë me atë buzëqeshje, me ata sy të ndritshëm të mbushur me shpresë, na mbush zemrën me gëzim dhe lumturi. Jemi shumë të lumtur që ky vend gëzon këtë lumturi dhe mendoj se Leo e ka merituar prej vitesh dhe ky ishte momenti i tij”.

Lojtarët ishin të gjithë të buzëqeshur, ndërsa shikonin turmat e tifozëve që ishin mbledhur për t’i parë ata, shumë duke u përpjekur të afroheshin sa më afër autobusit. Ndërsa thashethemet qarkulluan për një ndryshim në itinerarin e autobusit, një numër i madh njerëzish pushtuan një autostradë ku ekipi do të kalonte në këtë ditë përvëluese vere.

Mijëra njerëz kishin ngritur kampe që nga mëngjesi i së martës në Obelisk, pikë referimi ikonë e Buenos Airesit që është vendi tradicional i festimeve. Por ndërsa numri i njerëzve u rrit, ishte e paqartë nëse autobusi do të shkonte atje mes shqetësimeve se nuk do të mund të kalonte i sigurt. Presidenti i Argjentinës, Alberto Fernandez, e shpalli festë kombëtare të martën, në mënyrë që vendi të mund të festonte suksesin e Kupës së Botës. Mijëra tifozë ishin rreshtuar para agimit për të pritur skuadrën që kthehej nga Katari.

Lojtarët ishin të gjithë të buzëqeshur, ndërsa zbritën nga aeroplani në Ezeiza, jashtë kryeqytetit të Argjentinës, pak para orës 03:00 të mëngjesit, në një tapet të kuq. Messi ishte i pari që doli, ndërsa mbante Kupën e Botës. Pas tij ishte trajneri Lionel Scaloni, i cili i vuri dorën në krah kapitenit ndërsa kalonin pranë një tabele ku shkruhej: “Faleminderit, kampionë!”. Ekipi u mirëprit nga rok-grupi “La Mosca” duke kënduar “Muchachos”, një këngë që u shkrua nga një tifoz dhe u bë himn popullor jozyrtar për tifozët argjentinas në Kupën e Botës në Katar. Disa lojtarë, përfshirë Messin, mund të shiheshin duke kënduar këngën “Muchachos” ndërsa hipën në autobusin që i çonte në selinë e Federatës Argjentinase të Futbollit. Gjatë gjithë udhëtimit, Messi e mbajti Kupën e Botës, ndërsa lojtarët ua bënin me dorë tifozëve dhe shpesh këndonin së bashku me ta. I rrethuar nga tifozët, autobusit iu desh një orë për të udhëtuar 11 kilometra nga aeroporti deri në selinë e federatës, ku lojtarët u pritën me fishekzjarrë. Lojtarët kanë fjetur në seli, përpara se të zgjoheshin për të festuar tek Obelisku.

Messi në mëngjes ka postuar një fotografi në rrjetet sociale ku shihej duke përqafuar Kupën e Botës teksa ishte i shtrirë. Para mbërritjes së skuadrës shumë e kishin vëzhguar me vëmendje fluturimin që i sillte lojtarët në shtëpi për të festuar. Ndërsa aeroplani iu afrua tokës argjentinase, pothuajse 200,000 njerëz po ndiqnin rrugën e tij përmes internetit. Kanalet e lajmeve mbuluan drejtpërdrejt momentin e mbërritjes.

Disa lojtarë kanë postuar fotografi të udhëtimit me avion në rrjetet sociale. Në njërën, Messi u shfaq duke mbajtur Kupën e Botës në aeroplan. Nicolas Tagliafico postoi një fotografi të Kupës së Botës, të vendosur në ulëse aeroplani sikur të ishte pasagjer. Deri më tani nuk kishte plane zyrtare që Fernandez, apo ndonjë lider tjetër politik të merrte pjesë në festime, pavarësisht thashethemeve të mëparshme se lojtarët do të shkonin në selinë e Qeverisë.

Fernandez postoi disa mesazhe urimi për fitoren në Kupën e Botës nga liderë të tjerë botërorë, përfshirë presidentin rus Vladimir Putin.

“Faleminderit për këtë përshëndetje President Putin!”, shkroi Fernandez në Twitter pas një bisede telefonike me liderin rus. “Le të shërbejë si shembull lumturia që sot bashkon Argjentinën me kaq shumë vende në botë: shoqëritë tona kanë nevojë për unitet dhe paqe”.

Argjentina të dielën e mposhti në finale Francën. Ndeshja e luajtur në stadiumin “Lusail” u vendos me penallti, pasi koha e rregullt (2:2) dhe vazhdimet (3:3) nuk dhanë fitues. Në fund, Argjentina triumfoi 4:2 pas penalltive.

Sipas disa raportimeve, rrugëve të Buenos Airesit kanë dalë deri në katër milionë njerëz.