Qytetarë e Maqedonisë më të palumtur në Ballkan, ja ku renditet Shqipëria dhe Kosova

Finlanda është shpallur për të tetin vit radhazi vendi me popullsinë më të lumtur në botë, sipas Raportit Botëror të Lumturisë, i publikuar sot me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Lumturisë, raportoi Associated Press.

Autorët e raportit, i cili është përgatitur në bashkëpunim me agjencinë kërkimore Gallup, Qendrën e Kërkimeve për Mirëqenie të Universitetit të Oksfordit dhe Rrjetin e Zgjidhjeve për Zhvillim të Qëndrueshëm të OKB-së, analizuan periudhën midis viteve 2022 dhe 2024.

Ashtu si vitin e kaluar, të gjitha vendet skandinave janë në Top 10. Finlanda është në krye, e ndjekur nga Danimarka, Islanda dhe Suedia. Norvegjia renditet në vendin e shtatë.

Holanda u rikthye në pesë vendet e para, ndërsa Kosta Rika (vendi i gjashtë) dhe Meksika (vendi i dhjetë) hynë për herë të parë në Top 10.

Gjermania u ngjit nga vendi i 24-të në të 22-in, ndërsa SHBA ra me një pozicion në vendin e 24-të – renditja e tyre më e ulët ndonjëherë.

Këtë vit, Maqedonia e Veriut është në vendin e 86-të, vitin e kaluar ishte në të 84-in, ndërsa në vitin 2023 ishte në vendin e 87-të. Vlerësimi i këtij viti për Maqedoninë është 5.503 nga 10 të mundshme.

Bullgaria është në vendin e 85-të, ndërsa pas Maqedonisë nga rajoni renditet vetëm Shqipëria, e cila është në vendin e 89-të.

Për shumëkënd mund të duket e habitshme, por Kosova është kombi më i lumtur në rajon – ajo renditet në vendin e 29-të. Pas saj vjen Serbia në vendin e 31-të, Bosnja dhe Hercegovina në të 56-in dhe Mali i Zi në të 71-in.

Renditja përfshin 147 vende, ndërsa Afganistani është në vendin e fundit.

Finlandezët, të cilëve iu kërkua të vlerësojnë jetën e tyre, dhanë një notë mesatare prej 7.736 (nga 10), ndërsa nota mesatare e afganëve ishte 1.364.

Studiuesit e lumturisë identifikuan një numër faktorësh kryesorë që ndikojnë në nivelin e lumturisë së njerëzve. Në përpilimin e renditjes janë marrë parasysh tregues si PBB-ja për frymë, niveli i mbështetjes sociale, jetëgjatësia, respektimi i lirive qytetare, siguria në vendin e punës, liria në sektorin e shëndetësisë, niveli i korrupsionit dhe faktorë të tjerë.

Autorët e raportit zbuluan se besimi në mirësinë e të tjerëve është shumë më i lidhur me lumturinë sesa mendohej më parë.

Në raport theksohet gjithashtu se rezultatet e këtij viti edhe një herë konfirmojnë një të vërtetë themelore – lumturia është e rrënjosur në besim, mirësi dhe lidhje shoqërore.

“Lumturia njerëzore përcaktohet nga marrëdhëniet tona me të tjerët. Investimi në marrëdhënie sociale pozitive dhe angazhimi në veprime të mira lidhen me një nivel më të lartë lumturie,” tha Lara Aknin, profesoreshë e psikologjisë sociale në Universitetin Simon Fraser.

Raporti Botëror i Lumturisë publikohet që nga viti 2012 me iniciativën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Renditja bazohet në treguesit mesatarë të mbledhur gjatë një periudhe trevjeçare. Publikimi i raportit përkon me Ditën Ndërkombëtare të Lumturisë, e cila festohet më 20 mars.

Marketing