Pasditen e sotme kryeministri Edi Rama është takuar me qytetarët në Berat, nga ku ka folur për investimet e qeverisë.
Gjatë fjalës së tij, Rama tha se pavarësisht investimeve, qeveria është vetëdijshme për vështirësitë dhe problemet që të rinjtë kanë në përditshmëri në vendin tonë.
Kreu i qeverisë foli dhe për largimin e qytetarëve nga vendi, ku theksoi se Shqipëria ofron shumë mundësi punësimi.
Rama: Berati nuk është si më parë. Padiskutim që nuk është ende ai që duhet të jetë dhe për këtë arsye duhet të vijojmë të punojmë së bashku me të gjithë ata që kur i thonë vetes shqiptarë dinë se çfarë thonë. Ne sot kemi të gjitha arsyet të besojmë se këtë transformim të nisur mund ta çojmë deri në fund dhe shumë çka mbetet për tu bërë mund ta bëjmë sepse e kemi provuar që gjërat bëhen. Duan kohën dhe durimin e tyre, por bëhen. Në këtë moshë qe jeni ju është e natyrshme t’i bësh vetes pyetjen “ku dua të jetoj unë? Këtu ka vështirësi, por kudo ka vështirësi. Askund nuk është shtruar një tapet i kuq ku po presin të shkosh ti dhe të kesh një jetë siç e ëndërron. Kudo duhet të bësh sakrifica dhe duhet të punosh shumë për të arritur atë që do. Kryeministri përsëriti thirrjen që të rinjtë të qëndrojnë në Shqipëri dhe të luftojnë në vendin e tyre për të realizuar ato që ëndërrojnë, pasi vendi ynë ofron pafund mundësi.