Përderisa krerët e komunave të Pollogut janë duke kërkuar lokacion për trajtimin e qenve endacak, rrugët e këtyre komunave dita-ditës bëhen më të rrezikshme për qytetarët pikërisht nga qentë e pastrehë. Pothuajse nuk ka ditë që nuk raportohet për kafshime të qytetarëve nga qentë endacak. Vetëm gjatë ditës së martë janë regjistruar dy raste të kafshimit nga qentë endacak në Tetovës. Nga policia e Tetovës njoftojnë se të martën në ora 15.10 në Stacionin Policor Tetovë, 46-vjeçarja D.R. nga Tetova ka raportuar se në rrugën “Ivo Lola Ribar” vajza e saj e mitur është kafshuar nga një qen endacak.
Rasti tjetër është denoncuar një orë më pas në të njëjtën ditë, respektivisht në ora 16.20 në Stacionin Policor Tetovë, 38-vjeçarja M.N. nga Tetova ka raportuar se në rrugën “Ivo Lola Ribar” në Tetovë është kafshuar nga një qen endacak.
Krerët e komunave të Pollogut, në seancën e fundit nuk arritën të gjejnë lokacion tjetër për trajtimin e qenve endacak, pasi paraprakisht kishte një vendim të Qendrës rajonale të Pollogut që strehimorja të ndërtohet në atarin e Komunës së Bërvenicës. Por, Këshilli i kësaj komune ka marrë vendim që të mos lejohet ndërtimi i saj. Me këtë rast, kanë dështuar përpjekjet për të marrë donacion nga fonde ndërkombëtare për këtë qëllim.
Kryetari i Qendrës së Pollogut, Bilall Kasami thotë se janë duke shikuar mundësitë të gjejnë lokacion dhe mënyra tjera për trajtimin e qenve endacak.
“Fatkeqësisht, nuk patëm një zgjidhje konkrete që ka të bëjë me Qendrën rajonale për qentë endacak. Edhe pse kishim një vendim dhe projekt-konkret që ai të realizohet në kuadër të Komunës së Bërvenicës, përfaqësuesi i komunës së Bërvenicës na informoi se Këshilli komunal nuk e ka miratuar atë lokacion dhe për momentin jemi në kërkim të një lokacioni, por duke patur parasysh afatet kohore, me të cilët kemi aplikuar për projektin, fatkeqësisht me gjasë ajo mund të humbet si mundësi, në ndërkohë mbetet që të komunat të gjejnë zgjidhje tjera”, deklaroi Kasami, kryetar i komunës së Tetovës.
Kategoria më e rrezikuar nga qentë endacak janë fëmijët e mitur dhe personat e moshuar. Nga Policia e Tetovës apelojnë për më shumë kujdes tek qytetarët që në orët e hershme të mëngjesit dhe në mbrëmje të mos lejojnë fëmijët vetëm në rrugë, sepse rrezikohen nga qentë endacak.
Aktualisht, asnjë komunë në rajonin e Pollogut nuk ka të nënshkruar marrëveshje me ndonjë stacion të veterinarisë për trajtimin e qenve endacak. Nga ana tjetër, ende nuk ka asnjë të dyshuar për indikacionet se qentë endacak në mënyrë të organizuar sillen nga qytete tjera dhe lëshohen në Tetovë./koha