Në konferencën e saj të parë për media si kryeministër teknik, Oliver Spasovski u bëri thirrje anëtarëve të Qeverisë dhe në përgjithësi pushtetit ekzekutiv të punojnë me përgjegjësi që qytetarët të ndjehen të qetë, ndërsa institucionet të funksionojnë në mënyrë të papenguar.
– Kjo është periudhë në të cilën duhet të vjen në shprehjen maksimale përgjegjësia personale, institucionale dhe profesionale dhe të jepet kontributi më i mirë për të mirën e qytetarëve dhe për zhvillimin dhe përparimin e Maqedonisë së Veriut, tha Spasovski.
Prioritet kulmor i të gjithë ministrave në Qeverinë aktuale, pa përjashtim, siç theksoi, është të sigurojnë vazhdimësi të funksionimit të institucioneve, të sundimit të së drejtës dhe të demokracisë dhe të hapet hapësirë maksimale për vullnet demokratik të qytetarëve për të marrë pjesë në zgjedhjen e qeverisë së re legjitime, që do të vazhdojë të udhëheqë vendin në rrugën e vërtetë si anëtare e NATO-s dhe anëtare e ardhshme e Bashkimit Evropian.
Spasovski theksoi se të gjitha shërbimet e qytetarëve do të realizohen në tërësi, me kohë dhe në mënyrë të papenguar, pavarësisht nëse bëhet fjalë për subvencionet për bujqit, ndihmën e kategorive sociale të qytetarëve, ngritjen e pagave në sektorin publik ose shërbimet e administratës.
Qëllimi i kësaj qeverie kalimtare është të organizojë zgjedhje të lira, korrekte dhe demokratike kështu që, siç u shpreh Spasovski, vendi duhet doemos të organizojë zgjedhje që i kanë hije një demokracie evropiane në përputhje me standardet ndërkombëtare.
– Nga aspirata jonë për realizimin e këtyre qëllimeve strategjike, rezultojnë edhe vlerat që duhet t’i përcaktojnë të gjitha veprimet tona në periudhën e ardhshme . Kultura e lartë, e ngjyrosur evropiane, është njëra prej atyre vlerave. Vendi ynë dallohet si model i suksesshëm që e avancoi konceptin e zhvillimit të një shoqërie të barabartë dhe të drejtë për të gjithë, bëri të ditur Spasovski.
Zhvillimet në MPB, problemi i parë më i madh në funksionimin e qeverisë teknike
Problemi i parë me funksionimin e qeverisë teknike janë zhvillimet në Ministrinë e Brendshme me emërimin e kryeshefit të SPB – Shkup, për çka si instancë përfundimtare duhej doemos të prononcohet edhe Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ), i cili u shpall jokompetent.
Në seancën e Komisionit anëtari i KSHZ-së, Boris Kondarko, theksoi se Komisioni bashkë me Qeverinë dhe ministrat dhe zëvendësministrat plotësues janë të obliguar dhe udhëzuar për bashkëpunim të ndërsjellë veçanërisht, siç u shpreh, kur bëhet fjalë për periudhën parazgjedhore.
– Konsideroj se në këtë moment nevojitet që të gjithë së bashku të komunikojmë më shumë, të konsultohemi, të koordinohemi dhe të bashkëpunojmë që të mos fitohet përshtypje e gabuar në opinion për probleme eventuale lidhur me organizimin e zgjedhjeve, theksoi Kondarko.
Ai u bëri thirrje përfaqësuesve të të gjitha institucioneve që janë të përfshira në organizimin e zgjedhjeve të punojnë në mënyrë profesionale dhe me përgjegjësi në mënyrë që ato të jenë të organizuara me sukses.
Spasovski, nga ana tjetër, në konferencën për media theksoi se institucionet duhet të vazhdojnë së funksionuari normalisht, t’i realizojnë të gjitha shërbimet ndaj qytetarëve, para së gjithash ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, dhe se veçanërisht duhet të ketë kujdes MPB-ja.
– Veçanërisht duhet pasur kujdes në MPB, për shkak se është shumë e rëndësishme që të mos kemi kurrfarë kërcënimesh serioze për sigurinë ose, nga ana tjetër, të shkaktohen veprime të caktuara që do të ndërmerren dhe në këtë mënyrë të vihemi në situatë të jostabilitetit dhe pasigurisë te qytetarët. Kjo nuk na nevojitet. Konsideroj se nuk sjellë asgjë të mirë ajo që do të krijojë kaos. Pres që të gjitha këto mosmarrëveshje të jenë të tejkaluara, deklaroi Spasovski.
Të gjitha subjektet politike, porositi ai, që marrin pjesë në Qeverinë, të kenë sens dhe përgjegjësi politike dhe të mos dalin jashtë kornizave të asaj që u është dhënë si mundësi me Ligjin për Qeveri.
KSHZ-ja nuk është kompetente të vendosë për kërkesat që nuk janë të ndërlidhura me zgjedhjet
Emërimi i kryeshefit të SPB Shkup nga ana e ministrit të Brendshëm, Naqe Çulev dje mbërriti para anëtarëve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, të cilët u shpallën jokompetent për të vendosur. Anëtarët e KSHZ-së konstatuan se vendimi për emërim në pozicion udhëheqës nga ana e ministrit të Brendshëm nuk paraqet akt ose dokument që ka të bëjë me çështjet juridike, financiare ose kadrovike, që kanë të bëjnë me organizimin e zgjedhjeve.
Anëtarët e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve njëzëri votuan për këtë konstatim duke bërë të ditur se nuk janë kompetent të vendosin lidhur me kërkesën mendim të ministrit të Brendshëm Naqe Çulev lidhur me vendimin për emërimin e Risto Stavrevski për shef të SPB – Shkup, që nuk ishte nënshkruar nga zëvendësministrja plotësuese në MPB, Sllavjanka Petrovska.
– Ne në këtë rast nuk kemi kompetencë për shkak se kjo çështje nuk ka të bëjë me organizimin dhe zbatimin e zgjedhjeve. Kompetenca e tyre zgjedhore është përcaktuar në nenin 44 të Ligjit për Qeveri, ku saktësisht në paragrafin 4 dhe në paragrafin 6 shkruan që cilat janë kompetencat e kryetarit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Oliver Derkovski.
Duke sqaruar pse KSHZ-ja nuk është kompetente të vendosë lidhur me kërkesën, ai bëri të ditur në paragrafet 4 dhe 6 të nenit 44 të Ligjit për Qeveri.
– Kjo është kompetencë burimore e ministrit nga neni 44 dhe këto emërime nuk u nënshtrohen aktiviteteve që janë dhënë nga neni 46, 48 e më tutje 47, që kanë të bëjnë me organizimin e zgjedhjeve, tha Derkovski.
Në fakt, siç sqaruan anëtarët e KSHZ-së, për emërimin e Stavreskit nuk nevojitet nënshkrim i dytë, gjegjësisht nënshkrim nga zëvendësministrja plotësuese Petrovska.