Kur kanë mbetur më pak se një muaj deri te ndeshja Çeki- Kosovë, shitja e biletave për këtë ndeshje ka nisur.
Ndonëse fillimisht Federata e Futbollit të Çekisë, kishte vendosur që shitjen e këtyre biletave ta bëjë online, një gjë e tillë u ndryshua duke vendosur që këto bileta të shiten vetëm pranë zyrave të stadiumit ku edhe do të zhvillohet ndeshja në Plzen.
Florim Gashi, qytetari nga Kosova që jeton në qytetin e Bamberg në Gjermani kishte shkuar në Plzen për të provuar të blejë një biletë për këtë ndeshje, por një gjë e tillë nuk i është lejuar.
Sipas tij biletat janë duke u shitur mirëpo ato po shiten vetëm për shqiptarët që kanë nënshtetësi çeke, ndërsa personat tjerë nuk kanë të drejtë.
“Ky është një skandal i radhës, deri sot nuk ka ndodhur asnjëherë që njerëzit e vendeve tjera të mos kenë mundësinë të blejnë bileta. Lus Federatën e Futbollit të Kosovës që të bëjë ankesë në UEFA e FIFA, sepse ky është një skandal dhe një racizëm ndaj Federatës së futbollit të Kosovës” tha Gashi.
Kujtojmë që ndeshja mes Çekisë dhe Kosovë zhvillohet më 14 nëntor duke filluar nga ora 18:30.