“Qyteti fantazmë” në RMV me vetëm 11 maturantë!

11 maturantë dhe 22 profesorë. Kjo tablo që vjen nga Makedonski Brodi, ngjalli reagime dhe debate të shumta nëpër rrjetet sociale, njofton KlanM.

Marketing

Por, përtej kësaj, edhe shqetësime për uljen alarmante të numrit të nxënësve nëpër shkollat e mesme.

Klan Maqedoni vizitoi këtë qytet dhe shkollën që u bë virale nëpër rrjetet sociale. Drejtuesit e Shkollës së mesme “Shën Naum Ohridski”, mungesën e maturantëve e arsyetojnë me largimin e tyre drejt qyteteve më të mëdha të vendit duke mos anashkaluar edhe dukurinë e migrimit jashtë vendit.

“Për fat të keq këtë vit kemi vetëm 11 maturantë të cilët përfundojnë këtë vit, vitet e kaluar ka pasur më shumë por ky vit është kritik, në vitin 2019 kur u regjistruan ishin shumë pak si gjeneratë. Njëra ndër arsyet mund të them se është shpërngulja, dhe arsyeja tjetër është se nxënësit zgjedhin të mësojnë në qytetet tjera, Prilep, Kërçovë, dhe Manastir, ndoshta nuk mësojnë atë që duan por se është qytet më i madh zgjedhin të largohen nga këtu” – tha Zharko Stojkoski, drejtor i gjimnazit ”Shën Naum Ohridski”

Në këtë shkollë të mesme, në vitin e katërt ka dy paralele – gjimnazi me tetë maturantë kurse në drejtimin hoteleri dhe turizëm diplomat do t`i marrin tre nxënës. Nga viti I parë deri në të katërtën, sic percjell KlanM, janë 85 nxënës.

“Makedonski Brod një komunë mjaft e vogël me mbi 3,000 banorë, megjithatë ajo që është bërë virale kohëve të fundit në rrjetet sociale janë maturantët të cilët kanë kryer maturën apo vitin e katërt në shkollën e mesme të këtij qyteti janë gjithsejtë 11 maturantë, ajo që komentojnë qytetarët është ikja e të rinjve nga vendi.”

“Ikin të rinjtë dhe mbesin vetëm pleqtë, ku shkojnë? Neper qytete tjera, jashtë vendit.”

“Nuk është mirë të gjithë po ikin ajo është, ku shkojnë? Po jashtë vendit.”

Ndryshe, inspektorët e arsimit pas kontrollit në këtë shkollë kanë konstatuar se aktivitetet zhvillihen konform planprogrameve, me kushte adekuate për realizimin e mësimit.

Komuna Makedonski Brod, sic njofton KlanM, sipas regjistrimit të fundit ka 3,740 banorë. Prej tyre, 16 janë deklaruar shqiptarë.