Qyteti i Shkupit kërkon 16 asistentë për nxënësit e shkollave të mesme me nevoja të posaçme arsimore

Qyteti i Shkupit sot publikoi Konkurs publik për angazhimin e 16 asistentëve për nevojat e nxënësve me nevoja të posaçme arsimore në Shkollat e mesme të Qytetit të Shkupit.

Marketing

Siç bëjnë të ditur nga Qyteti i Shkupit, të gjithë personat e papunë të evidentuar të cilët janë të interesuar që të përfshihen në programin e punës së dobishme komunale në kuadër të projektit “Mbështetje e përfshirjes në procesin arsimor – avancimin e të drejtave dhe mundësive për kategoritë e ndjeshme të qytetarëve në Qytetin e Shkupit” mund të paraqiten në Agjencinë për Punësim – Qendra për Punësim e Qytetit të Shkupit, në periudhën prej 5 deri më 16 gusht.

“Personat që do të zgjidhen do të angazhohen 20 orë në javë për periudhën prej nëntë muajve dhe do t’u paguhet kompensim në të holla për angazhimin në vlerë prej 9.000 denarëve në muaj, me tatim të përfshirë të të ardhurave personale dhe sigurimin për invaliditet dhe dëmtim trupor të shkaktuar nga lëndimi në punë dhe sëmundje profesionale”, informojnë nga Qyteti i Shkupit.

Në kumtesën e Qytetit të Shkupit bëhet e ditur se personat e papunë të evidentuar që do të paraqiten për pjesëmarrje në program, duhet t’i përkasin njërit nga këto grupe të personave të papunë: persona të papunë për një kohë të gjatë (mbi 12 muaj të evidentuar, me përparësi të personave të papunë mbi pesë vite); të rinj deri në 29 vite; persona mbi 50 vite; persona shfrytëzues të së drejtës së ndihmës në të holla nga mbrojtja sociale ose shfrytëzues të kompensimit në të holla në bazë të papunësisë; persona të cilët ishin shfrytëzues të Programit kompensim të kushtëzuar në të holla për arsim të mesëm; persona të cilët kanë pasur status të fëmijëve pa prindër dhe kujdes prindëror; viktima të dhunës familjare; gra pjesëtare të bashkësisë etnike rome; prindër vetushqyes; prindër të fëmijëve me pengesa në zhvillim dhe prindër të tre ose më shumë fëmijëve.

Qëllimi i projektit është që këto persona të marrin aftësi dhe gradualisht të përfshihen në tregun e punës.

Personat e interesuar të papunë informacione të hollësishme për Programin OKR mund të marrin në Qytetin e Shkupit, Sektori për Arsim prej orës 08:30 deri në orën 16:30, çdo ditë te personi Sulltana Çuleva në numrin e telefonit 02 3297-323, Koordinator komunal i programit “Punë e dobishme komunale”.