Rade Markoviq ka dhënë urdhrin për vrasjen e fëmijëve serb në Pejë më 1998

Një burim i afërt me qeverinë e Serbisë, thotë se Radomir Markoviq u ka ofruar autoriteteve dëshmi konkrete se sulmi i 14 dhjetorit të vitit 1998 në kafenenë “Panda” në Pejë, është kryer me organizimin e Milorad Ulemek Legija!

Marketing

Thuhet se Markoviç, ka dëshmi se grupi i cili e ka realizuar këtë aksion, për të cilin me vite është besuar se ishte vepër e ekstremistëve shqiptarë, e ka organizuar ish komandanti i njësisë ‘JSO’.

Qëllimi i këtij krimi, sipas fjalëve të këtij burimi, ishte që në sytë e opinionit ndërkombëtarë, UÇK-ja të prezantohej si organizatë terroriste dhe të arsyetojnë aksionet e forcave serbe në territorin e Kosovës.

Mirëpo, në anën tjetër, Ulemek është i gatshëm që të dëshmoj rreth përgjegjësisë direkte të Radomir Markoviçit për atë krim, transmeton “Zëri.info”.

Ulemek ka zbuluar se urdhri për organizimin e njerëzve nga strukturat e sigurisë për vrasjet në Pejë, ka ardhur nga vetë kreu i shërbimit të Sigurimit Shtetërorë, që në atë kohë udhëhiqej nga Rade Markoviç.

“Ata tani e fajësojnë njëri-tjetrin, ende nuk dimë çfarë dëshmish posedojnë, por fakti është se për atë krim fajtor është shteti, respektivisht Sigurimi Shtetërorë”, ka deklaruar ky burim.

“Ky është një problem për Serbinë, sepse me vite ky krim u është veshur ekstremistëve shqiptarë dhe jo vetëm kaq. Ai krim, vrasja e fëmijëve serbë, ishte konsideruar si arsyetim që forcat serbe të fillojnë aksionet në Kosovë. nëse këto dëshmi dëshmohen relevante, kjo është një shuplakë e madhe. Si t’u shpjegohet prindërve të atyre fëmijëve se djemtë e tyre janë sakrifikuar për t’u arsyetuar aksioni i Sigurimit Shtetërorë. Nga ana tjetër, ne si shtet duhet të pastrohemi nga hijet e së kaluarës dhe të zbardhim të gjitha krimet, pa marrë parasysh se sa na pëlqen rezultati përfundimtar”, ka shtuar burimi.

Edhe vetë kryeministri serb kohë më parë kishte deklaruar se për shkak të asaj që kishte ndodhur në kacanen “Panda” mund t’ju dhemb koka, transmeton më tutje “Zëri.info”.

“Më duhet të demantoj se për vrasjen e fëmijëve serb në kafenenë “Panda” kanë marrë pjesë pjesëtarët e shërbimeve MI6 dhe SAS. Kjo e dëmton vendin tonë, ne me këto shërbime kemi bashkëpunime të shkëlqyeshme dhe ata nuk kanë lidhje me këtë”, kishte deklaruar Vuçiç kohë më parë.

Si ndodhi ngjarja?

T’ua rikujtojmë se më 14 dhjetor të vitit 1998, autorë ende të panjohur kishin vrarë në kafenenë në fjalë 6 të rinj serbë, Ivan Obradoviç 15, Vukota Gvozdenoviç 18, Svetislav Ristiç 17, Zoran Stanojeviç 17, Dragan Trifoviç 17 dhe Ivan Radeviçin 25-vjeç.

Organet shtetërore serbe menjëherë përmes mediave kishin akuzuar pjesëtarët e UÇK-s për këtë krim, ndërsa asnjëherë nuk ishte bërë ndonjë hetim i këtij krimi.

Marketing