Radev kërkon garanci për të drejtat e bullgarëve në RMV

Presidenti bullgar, Rumen Radev, kërkon që bullgarët të përfshihen në Kushtetutën e RMV-së, para se të fillojnë bisedimet e vendit me BE-në, garanci për respektimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore-historike dhe çrrënjosja e gjuhës së urrejtjes në RMV.

Marketing

Në takimin me përfaqësues të shoqatave dhe organizatave të bullgarëve maqedonas, Radev tha se aktivitetet për thellimin e marrëdhënieve të ndërsjella janë në rregull, por duhet të ketë një udhërrëfyes të qartë kalendarik për zgjidhjen e çështjeve të hapura.

“Bullgaria është shteti që më së shumti do aderim të shpejtë në familjen e Bashkimit Evropian. Prandaj është e arsyeshme përfshirja e bullgarëve në Kushtetutën e RMV-së në baza të barabarta me kombet e tjera. Që do të thotë garantimi i të drejtave të tyre të jetë kusht i domosdoshëm për dhënien e pëlqimit nga pala bullgare për fillimin e bisedimeve. Pra, para fillimit të bisedimeve të ketë garanci të qartë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore-historike.”,- tha presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev.

“Ndryshimi i librave dhe zbulimi i së vërtetës historike është baza mbi të cilën do të ndërtohen marrëdhëniet e ndërsjella në të ardhmen.”,- u shpreh kryetari i Unionit Demokratik Qytetar, Petar Kolev.

Deri sa për presidentin Radev ndërhyrja në kushtetutë nuk është përzierje në punët e brendshme të vendit tonë, për opozitën maqedonase këto kërkesa tregojnë nevojën që Maqedonia e Veriut të marrë garanci me shkrim nga Bullgaria për gjuhën dhe historinë.

“E gjithë kjo ngre dyshimin se është shumë më tepër se Kushtetuta, dhe është një gjymtim kombëtar duke cenuar gjuhën, historinë, madje edhe me vendim të na bllokojnë rrugën evropiane. Për këtë arsye kërkojmë garanci me shkrim ndaj të cilave do të jetë e obliguar Bullgaria, ndërsa pas këtyre kërkesave të qëndrojë Kovaçevski.”,- tha Dragan Kovaçki nga VMRO-DPMNE.

Nga VMRO–DPMNE thonë se Kovaçevski duhet të kërkojë garanci nga Brukseli, se nuk do të ketë më frenim në rrugën drejt BE-së dhe kërkesa të reja të panumërta nga Bullgaria.