Rafi Halili, një libër që frymëzoi brezat e atdhetarëve

Duhet të jemi me fat që kishim në mesin tonë një idealist të kulluar
që i fali gjithçka kauzës kombëtare, për ta bërë fitoren sa më
kuptimplote. Mjafton të kthejmë kokën prapa dhe do të na del në
shiritin e kohës viti 2001, kur ideali i lirisë dhe sakrifica u bënë
një. Në një cep të atij shiriti do të na del edhe figura e Rafi
Halilit, i cili edhe tani kur nuk është në mesin tonë, vazhdon të
imponojë respekt të palëkundur për gjithë atë veprimtari prometeane.

Marketing

Shkruan Prof. dr. Skender ASANI

Rafi Halili është një hero i heshtur por tepër aktiv që i dha
rezistencës shqiptare kuptimin dhe orientimin e duhur. Heronjt si
Rafiu janë të rrallë, por veprimtaria e tyre mjafton të bëhet
udhërrëfim për të tjerët. Trajektorja e jetës dhe e veprës së Rafi
Halilit, kaloi nëpër një kronikë të ngjeshur ngjarjesh ku ai jo vetëm
që ishte protagonist, por ishte edhe frymëzues i një procesi të gjatë
e të vështirë të vetëdijësimit dhe ndërgjegjësimit kombëtar të
shqiptarëve të kësaj ane.

Patriotizmi i Rafi Halilit fillimisht ishte individual, madje në një
moshë shumë të re, por me kalimin e kohës, ky patriotizëm u mbindërtua
dhe mori konturat e një organizimi. Pra, ai nuk veproi në mënyrë
stihike, por pati si qëllim që përmes formës së organizuar të
rezistencës, siç ishte organizata “Kushtrimi i lirisë”, të sendërtojë
kauzën e lirisë kombëtare.

Figura e Rafi Halilit meriton një studim më të detajuar dhe format e
tilla të debatit shkencor, si ky që po organizohet sot, hedhin dritë
më shumë mbi jetën dhe veprën e tij, sepse vetëm pasi të studiohen
mirë figurat e tilla kombëtare, mund të themi se i kemi arsyetuar
përfitimet kombëtare nga sakrificat titanike të Rafi Halilit. Sa më
mirë ta njohim historinë e rezistencës shqiptare, aq më e dinjitetshme
do të jetë e ardhmja.

Sikur Prometheu në Antikë që u mund por asnjëherë nuk u thye, edhe
Rafi Halili me zjarrin e tij të atdhedashurisë mbolli farën e shpresës
te zemrat e bashkëkombasve, por u bë tmerr për sistemin represiv që e
torturonte deri në vdekje për idetë dhe idealin të cilin ai e ushqente
me shpresën se një ditë sakrifica e tij do të bëhet dritë për të
ndriçuar udhët gjysëm të errta të ardhmërisë.

Rafi Halili ishte pjesë e rezistencës shqiptare që pati kontekstet dhe
specifikat e veta, për arsye se veprimtaria e tij nuk duhet shikuar
ndaras nga përpjekjet e përgjithshme për liri të popullit shqiptar që
jetonte në ish Jugosllavi, ku organizimi ilegal ishte mjeti i vetëm që
po bëhej një katalizator i formimit të vetëdijes politike e kombëtare
të shqiptarëve.

Tani kur po flasim për këtë figurë të rëndësishme të rezistencës
shqiptare, kemi dy linjat e forta të kohës që shkonin kundër njëra
tjerës; linja e represionit dhe ndjekjes dhe linja e mospërkuljes dhe
qëndresës titatnike. Duke qenë përfaqësues i linjës së dytë, Rafi
Halili në arkivat e UDB-së do të mbetet personazhi më i veçant i
mosbdinjes politike ndaj një sistemi që prodhonte vazalitet dhe
nënshtrim. Ai arriti t’iu mbijetoj vuajtjeve dhe të bart tek të
burgosurit tjerë përvojën e tij personale të stoicizmit, si një
filozofi unike e mosnënshtrimit.

Me veprimet e tij të guximshme, por tepër të rrezishme dhe me pasoja
për jetën dhe shëndetin e tij, Rafi Halili u bë një libër që lexohej
në distancë nga të burgosurit e tjerë. Sado që torturuesit mundoheshin
t’i grisnin faqet e këtij libri, ai për çdo ditë shtonte faqe të tjera
duke i shkruar me lapsin e padukshëm që prodhonte durim, shpresë e
vetëflijim. Libri i Rafi Halilit mbetet literatura më gjikante e
frymëzimit për liri dhe detyrim i yni është brezat që do të vjnë të
mësojnë për historinë e lavdishme të sakrificave kombëtare, të cilat
ishin bazamenti i lirisë dhe barazisë që gëzojmë ne sot.

Liria e një populli nuk vjen rastësisht. Nuk janë edhe të rastësishme
figurat kombëtare që i prijnë një populli. Vetëm pse ishte i
vetëdijshëm dhe i informuar për gjendjen e popullit të tij, Rafi
Halili deshi të niset nga vetvetja dhe të na thotë se secili prej
neve, aq sa mundet, e ka për obligim të jetë në anën e popullit që po
vuante pasojat e një politike diskriminuese për shqiptarët. Në kohën
kur veproi Rafiu, sigurisht që kishte njerëz që frikësoheshin edhe
emrin t’ia përmendin, por ai ishte i vetëdijshëm se rrënjët e robërisë
duhet shkulur duke ua mbytur frikën njerëzve, me veprime që ia
prishnin gjumin istemit represiv. Kjo ishte edhe arsyeja pse Rafi
Halili nuk zgjodhi arratisjen, por qëndresën, nuk zgjodhi luftën në
distance, por përfshirjen direkte në frontin e zjarrit.

Ky ishte misioni i një Prometheu që kishte zgjedhur vetflijimin si
formën më të vështirë, por më të duhur, për të reflektuar idetë e
mosnënshtrimit që kishin nevojë të përhapeshin sa më gjerë. Me ato
ide, Rafi Halili betonoi bindjen se vetëm rezistenca e pandërprerë
mund të rezultojë në një fitore, kurse fitorja mbetet nocion abstrakt
përderisa të mos preket dhe të mos shijohet.

Duhet të jemi me fat që kishim në mesin tonë një idealist të kulluar
që i fali gjithçka kauzës kombëtare, për ta bërë fitoren sa më
kuptimplote. Mjafton të kthejmë kokën prapa dhe do të na del në
shiritin e kohës viti 2001, kur ideali i lirisë dhe sakrifica u bënë
një. Në një cep të atij shiriti do të na del edhe figura e Rafi
Halilit, i cili edhe tani kur nuk është në mesin tonë, vazhdon të
imponojë respekt të palëkundur për gjithë atë veprimtari prometeane.

Lavdi jetës dhe veprës së Rafi Halilit!