Mesfushori i Barcelonës, Ivan Rakitic, e ka konfirmuar qëndrimin e tij në Camp Nou, përkundër spekulimeve se ai do të transferohet në Paris Saint-Germain.
Rakitici arriti ta fitojë medaljen e argjendtë me Kombëtaren e Kroacisë në Kupën e Botës dhe që nga atëherë PSG-ja kanë qenë duke e kërkuar transferimin e tij, transmeton Gazeta Express.
Kampioni francez i kishte ofruar Barcelonës 90 milionë euro si dhe mesfushorin e tyre, Julian Draxler. Megjithatë, Barcelona e kanë refuzuar një ofertë të tillë pasi që trajneri i Katalonasve, Ernesto Valverde, e konsideron kroatin si një ndër lojtarët kyç të skuadrës së tij.
Rakitici e ka pranuar se ai e ka shqyrtuar mundësinë e largimin dhe kishte biseduar me gruan dhe familjen e tij, si dhe agjentin, para se ta marrte vendimin për të qëndruar në Spanjë.
“E falënderoj trajnerin për fjalët e tij, bordin drejtues, skuadrën dhe tifozët. Ndjehem i privilegjuar dhe do të jap më të mirën time për të fituar tituj”, ka thënë Rakitic.
“Shume klube kishin pyetur për mua, por pasi e menduam me familjen time, e pata shumë të lehtë të vendosja, unë doja të qëndroja këtu”.