Rama: BDI dhe Ali Ahmeti, garant i stabilitetit dhe të ardhmes europiane të Maqedonisë së Veriut

Zëvendëskryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama e sheh partinë Bashkimi Demokratik për Integrim të Ali Ahmetit në Maqedoni si garant të stabilitetit dhe të ardhmes evropiane të fqinjëve tanë.

Marketing

Në një postim në “Facebook”, Luan Rama tregon se ka qenë i ftuar në kongresin e katërt zgjedhor të BDI-së, ku u morën vendime të rëndësishme për sfidat e të ardhmes.

Sipas tij, Maqedonia e Veriut nuk do të ishte kjo që është sot edhe me shumë arritje të tjera për statusin e shqiptarëve atje, pa rolin e vendosur, përcaktues dhe konstruktiv të BDI-së.

Por Luan Rama thekson se BDI-së i takon detyra e unifikimit të faktorit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut, që sfidat e afërta zgjedhore të mund t’i përballojnë së bashku, për t’i dhënë votës së qytetarëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, vlerën dhe fuqinë politike reale që ajo ka.

“BDI dhe Ali Ahmeti janë garantë të stabilitetit dhe të ardhmes europiane të Maqedonisë së Veriut.
Para disa ditësh u mbajt në Shkup kongresi i katërt zgjedhor i BDI-së, Bashkimit Demokratik për Integrim, partisë politike më të madhe të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Unë pata nderin të jem i ftuar e të marr pjesë në atë kongres si përfaqësues i LSI-së. Por, nuk mund të mos e përjetoja praninë time në atë forum ku u morën vendime të rëndësishme për sfidat e të ardhmes që duhet të përballojë BDI, edhe si njëri prej atyre që e kanë ndjekur rrugëtimin; prej lindjes në rritjen, konsolidimin, modernizimin dhe faktorizimin e partisë me kryetar mikun tim të gati 30 viteve më parë Ali Ahmeti, që prej kur ushtria çlirimtare kombëtare imponoi Marrëveshjen e Ohrit e tëhu, vit pas viti e fitore pas fitoreje.

Ndaj, mund të them me bindje se Maqedonia e Veriut nuk do të ishte kjo që është sot, anëtare në NATO dhe në prag të çeljes së negociatave për anëtarësim me BE-në (e penalizuar padrejtësisht vetëm për të mos u ndarë prej saj Shqipëria!), por edhe me shumë arritje të tjera për statusin e shqiptarëve atje, pa rolin e vendosur, përcaktues dhe konstruktiv të BDI-së, si garante e stabilitetit dhe të ardhmes europiane të Maqedonisë së Veriut.

Ndërkaq, mendoj se BDI-së i takon detyra e unifikimit të faktorit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut, që sfidat e afërta zgjedhore të mund t’i përballojnë së bashku, për t’i dhënë votës së qytetarëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, vlerën dhe fuqinë politike reale që ajo ka.

Interesi kombëtar e kontributi ndaj shtetit që po aq sa i maqedonasve është edhe i shqiptarëve, duhet t’i udhëheqë e bashkojë shqiptarët e padyshim, më së pari liderët e tyre politikë, kah kjo konstane përbashkuese.

Kongresi i katër zgjedhor i BDI-së e konturoi më së miri e me shumë përgjegjësi këtë qasje, ndaj zgjedhjet e afërta të parakohshme parlametare, janë një mundësi përbashkuese për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut”, ka shkruar Rama në Fejsbuk. .