“Ka vetëm një autostradë që na duhet të ndërtojmë së bashku dhe ajo është autostrada Ballkani Perëndimor – Bashkimi Evropian, kjo është ajo për të cilën kemi nevojë”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, duke marrë fjalën në panelin e kryeministrave në Samitin e BERZH-it mbi investimet 2020 në Ballkanin Perëndimor.
Duke vlerësuar këtë nismë të BERZH-it, Rama tha se “jam këtu për të dëshmuar se qysh prej momentit të parë kjo nismë ka qenë kaq e dobishme, kaq rigjallëruese çdo vit”.“Nga njëra anë procesi i Berlinit i nisur nga kancelarja gjermane në të njëjtin vit që BERZH-i nisi këtë nismë ka qenë në njëfarë mënyre ngushëllimi ynë, pasi ndërkohë që në procesin e integrimit evropian na është dashur të përballemi me mjaft beteja e me jo pak zhgënjime, në këtë rrugëtim paralel politik dhe ekonomik kemi gjetur mjaft lehtësi, shumë mbështetje dhe sigurisht kemi mundur të bëjmë gjëra konkrete”, tha Rama.Rama falënderoi veçanërisht kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq që ishte i pranishëm në këtë samit. “Është vërtetë shumë e rëndësishme për të gjithë ne që jemi këtu në panel. I jemi mjaft mirënjohës për këtë Andrejit, pasi Kroacia është agjenti ynë në Bruksel dhe në të njëjtën kohë është edhe përkthyesi i Brukselit në rajon. Është më e lehtë të përkthesh Brukselin te ne, se sa ne te Brukseli por është pjesë e punës tënde dhe ti je diplomat me përvojë, ndaj paç fat me këtë”, iu drejtua Rama, kryeministrit të Kroacisë, Andrej Plenkoviq.Kryeministri Rama falënderoi të gjithë ata që morën pjesë në Konferencën e Donatorëve, ku sipas tij, “pjesa më prekëse ishte pa asnjë dyshim pjesëmarrja e miqve tanë nga rajoni”. Të gjitha këto vende dhe Kroacia kanë dhënë një shembull të shkëlqyer solidariteti. Fryma në rajon ka ndryshuar prej disa viteve edhe falë këtij forumi dhe shumë mbledhjeve të tjera. Deri në 2014 ne nuk ishim ulur kurrë në një takim të gjithë së bashku me përfaqësuesit e këtyre vendeve, për t’u ulur pa armë, urrejtje, gjakderdhje, për t’u fokusuar për të ardhmen. Kjo është e jashtëzakonshme dhe na duhet të bëjmë para”, tha Rama.Kryeministri tha se, “nuk është e lehtë të ecësh para dhe të ndërtosh mbi këtë dhe ta shndërrosh paqen në një instrument zhvillimi dhe begatie, sepse e shkuara ende nuk është tërësisht pjesë e historisë”.“Natyrisht kemi probleme, mosmarrëveshje, ende ka probleme të mëdha që duhen zgjidhur, por ne po punojmë së bashku e po ecim përpara së bashku e duam që së bashku të ndërtojmë një të ardhme për fëmijët tanë që të jetë krejtësisht ndryshe nga ajo që trashëguam brez pas brezi, me mosmarrëveshje, luftëra dhe konflikte”, tha Rama.Kjo, vijoi ai, “nuk ka të bëjë me paqen si e tillë, por me zhvillimin, ekonominë, të ardhmen për popujt tanë”. “Kjo është arsyeja që besoj fort te Shengeni Rajonal. Nuk ka minishengen, nga e kanë gjetur këtë fjalë, ne jemi mesatarisht nga më të gjatët në Evropë si rajon. Është Shengen Rajonal, është një hapësirë e përbashkët rajonale që i referohet Shengenit thjesht për të kuptuar se për çfarë bëhet fjalë; janë 4 liritë e Europës të lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve. Në rajonin tonë, në kufi njerëzit presin më shumë se 1 mijë vjet në vit”, tha Rama.Ndërkohë, ai u shpreh se “Shqipëria po ecën para dhe na duhet të tejkalojmë këtë dëm shumë të madh që është shkaktuar nga tërmeti”.“Kemi një sërë projektesh të mëdha në vazhdim e sipër, si projektin e aeroportit të Vlorës, parqet fotovoltaike, dhe për më tepër për investimet hidrike jemi mes 5 vendeve të Evropës në përputhje me vizonin e Ursula von der Leyen, sepse kemi trashëguar një sistem ku thuajse gjithçka mbështetet në energjinë e ripërtëritshme dhe të gjelbër”, tha Rama