Liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni kanë shprehur nevojën për anëtarësim më të shpejtë në Bashkimin Evropian. Por, kritikuan BE-në se për shkak të qasjes burokratike dhe bllokadave të vendeve anëtare po nxisin euro-skepticizëm dhe acarim tek qytetarët e ballkanas.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se Bashkimi Evropian duhet të përkrahë më tepër shtetet aspiruese për anëtarësim.
Megjithëse nënvizoi se BE ka bërë hapa progresivë, duke përmendur edhe deklaratën e presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, që ka thënë se synimi për zgjerimin e radhës të Bashkimit Evropian do të jetë viti 2030.
“Jam shumë i lumtur që të shoh që një lider të flasë njëlloj si në darkë ashtu dhe në forum. Fantastike kjo gjë! Janë disa hapa progresivë, jo se besoj që ne në 2030 do të jemi pjesë e BE-së me thënë të drejtën, por teksa ne flasim për konvergjencën me BE-në të gjithë duhet ta kuptojmë që boshllëku i kontributeve për frymë i BE drejt këtij rajoni dhe shteteve të Bruto Produktit është diçka si 130 e ca euro për 6 prej nesh këtu dhe më shumë se 4 mijë euro për dy prej nesh këtu dhe të tjerë. Kjo disi duhet kuptuar dhe zgjidhur me hapa konkretë, duke konsideruar që kjo nuk duhet të jetë asgjë e të gjitha. Të gjitha vendet që hyjnë në rrugën drejt BE-së, deri në momentin që bëhen anëtarë, duhet të jenë këto gjëra në mes të procesit, jo vetëm parimet, reforma dhe kritika që janë absolutisht të nevojshme, por edhe mbështetje sa më konsistente, nuk po them vetëm nga pikëpamja financiare, por edhe të hapësirave më të mëdha edhe për ndërmarrjet tona”, tha ai.
Hapa më të shpejtë për anëtarësim në BE kërkoi edhe kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq.
“Ne duam të jemi pjesë e BE-së, kjo sa më shpejt që të jetë e mundur. Ne e dimë saktësisht se çfarë duam. Nuk jam i sigurt se kohë pas kohë lidershipi i BE-së e di se çfarë kërkon. Por, nëse e duam që të kemi zgjerimin e BE-së kjo është në interes edhe të BE-së jo vetëm të Ballkanit Perëndimor”, deklaroi Abazoviq.
Më kritik ndaj BE-së u shfaq kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.
“Ju përmendët acarimin? Po e kemi, ka matje të opinioni publik që thonë se 80 për qind të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut janë për Bashkimin Evropian, por edhe 80 për qind e qytetarëve janë kundër bllokadave që janë njëra pas tjetrës nga vendet anëtare. Ato përdorën kryesisht për politikat e tyre të brendshme dhe jo për skenën ndërkombëtare”, theksoi ai.
Ndërkaq, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha se në vendin e saj ka euro-skepticizëm për shkak të negociatave të stërzgjatura të BE-së.
“Ka një euro skepticizëm të madh në Serbi. Kjo është për shkak të faktit se sikurse kryeministri Plekoviq tha se kemi pritur më shumë se 20 vjet. Të gjithë ne kemi bërë gjëra të ndryshme, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, miku im Kovaçevski ndryshoi emrin e shtetit të vet dhe ende e ka vështirë të marrë një datë për të nisur negociatat. Kur shikon në rastin e Serbisë nga pikëpamja kur kemi filluar negociatat në vitin 2014 shohim se 10 vite kanë kaluar dhe ne ende jemi në negociata”, deklaroi ajo./Kosovapress