Kryeministri Edi Rama, gjatë mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialiste, e konsideroi 30 qershorin “si fundi i një akti të radhës në historinë e politikës së përçarjes, një akti i fryëmzuar dhe i organizuar për të marrë peng Shqipërinë në kuptimin më të plotë të fjalës, duke marrë peng zgjedhjet dhe përmes zgjedhjeve, reformën në drejtësi.”
“Prandaj edhe ato zgjedhje u kthyen në një kulm të një përplasjeje që herë pas here në të gjitha vitet dhe zhvillimet demokratike është shfaqur mes anti-shtetit dhe shtetit. Por këtë herë me një dimension më shumë, me dimensionin e përpjekjes për të mbrojtur pandëshkueshmërinë në raport me një Shqipëri të drejtë për të cilën ne luftojmë patjetër me plot pengesa, gabime, dështime dhe jo vetëm me arritje, dhe në rrugën drejt të cilës jemi, siç i takon PS-së në vijueshmërinë historike të saj, në përputhje me interesin kombëtar dhe njëkohësisht në përputhje të plotë edhe me miqtë tanë strategjikë”, u shpreh kryeministri.
Sipas Ramës, më 30 qershor fitoi shteti, qytetaria, shpresa dhe humbi anti-shteti, rrëmuja dhe balta.
“30 qershori që deri para pak kohe dukej sikur nuk do të vinte kurrë, iku paqësisht, por plaga është ende e hapur dhe më e hapur se asnjëherë është edhe sfida jonë. Që të jemi të qartë, 30 qershorin e fituan qytetarët edhe për ne. Ndërsa gjithë çfarë vjen pas 30 qershorit duhet ta fitojmë ne për qytetarët”, tha Rama.
Kryeministri falënderoi partnerët strategjik që, siç tha ai, i qëndruan në krah Shqipërisë.
“Është me vend këtu ta përsëris se Shqipëria u shfaq në të gjithë brishtësinë e saj dhe u kërcënua, u godit, u lëkund, por nëse nuk u rrëzua kjo patjetër që erdhi edhe falë qëndrimit të SHBA-së dhe BE-së në krah të shqiptarëve, në mbrojtje të parimeve më themelore të demokracisë, në mbështejte të lirisë së zgjedhjeve dhe të drejtës të çdo qytetari për të zgjedhur.Kështu që ma ha mendja se asnjëherë kur të flitet për këtë moment kompleks në ejtën tonë politkiek dhe shoqërore nuk do të harrohet roli i aleatëve tanë, për të cilin nuk do të jetë kurrë mjaft falenderimi për gjithçka bënë”, u shpreh ai.
Rama theksoi se barra e kruimit të plagës që hapi gjysma e parë e vitit i takon e gjitha Partisë Socialiste.
“Shqipëria është çliruar sot nga mankthi i gjysmës së parë të vitit, por mbetet në një nevojë për më shumë kujdes politik dhe mision patriotik në qeverisjen e saj në të gjitha nivelet. Barra e kurimit të plagës që hapi gjysma e parë e vitit është e gjitha e jona për momentin”, tha kryeministri.
Sa i përket pjesëmarrjes në votimet e 30 qershorit, Rama tha se PS mori “një numër votash që është një bazë shumë domethënëse për të vijuar më tutje.”
“Nuk do të ketë me djegie mandatesh dhe parti molotovi”, shtoi ai.