Kryeministri Edi Rama ka lëshuar sërish akuza për opozitën gjatë fjalimit të mbajtur në bashkinë e Gramshit, për votimet e 30 qershorit. Duke bërë një historik, sipas tij, të krizës që ka mbërthyer prej muajsh vendin, Rama theksoi se është frika nga drejtësia që e ka bërë opozitën të kthehet në kamikaze kundër popullit.
“Filluan të ngrenë temperaturën e konfliktit në Parlament, duke e kthyer në një arenë ku dukej sikur shkonim për të bërë mundje. Nuk ishte parë ndonjëherë në historinë e Shqipërisë që deputetët të digjinin mandatet. Dhe pastaj nuk ishte parë që deputetët me mandatet e djegura të futeshin në mes të popullit dhe të përdornin njerëzit si mish për top. Nuk ishte parë ndonjëherë që paralelisht të zhvillohej fushata më e ulët, më e pabesë nga përfaqësuesit e popullit, vend më vend, për ta bërë Shqipërinë leckë. Nuk ishte parë ndonjëherë që përgjimet të mos hetoheshin, por që të dilnin në Gjermani për ta paraqitur te shqiptarët si zbulim gjerman. Ishte një çorbë e politikës shqiptare.
Nuk ishte parë asnjëherë që opozita dhe presidenti të zhvillonin dy aktivitete paralele dhune, e para me zjarr, i dyti me dekrete. Dhunë në rrugë, dhunë nga institucioni më i lartë i shtetit. E gjitha kjo për të krijuar idenë se ky vend nuk meriton të çelë negociatat.
Pse e gjithë kjo? Sepse negociatat me BE-në nisin me drejtësinë. Dhe kur Shqipëria të ulet në tavolinë për t’u bërë anëtare e familjes evropiane, ajo familje do të kërkojë provat konkrete që Shqipëria ka një system drejtësie që nuk pyet a je president apo ish-president, kryeministër apo ish-kryeministër. Nëse ke shkelur ligjin, përballesh njësoj si gjithë të tjerët përpara ligjit.
Është kjo frikë që i ka bërë të kthehen në kamikazë kundër popullit”, deklaroi Rama.
Kryeministri krahasoi presidentin Ilir Meta me Haxhi Qamilin, tek i cili sheh vetëm shpirtin e rrëmujës.
“Haxhi Qamili është rishfaqur në zyrën e Presidentit të Republikës me kostum dhe bën edhe shqiponjën. Është shpirti i rrëmujës dhe shpirti i kundërshtisë palidhje edhe me vetë Perëndimin që ka “pushtuar” Ilir Metën. Fallxhorja (Monika Kryemadhi)të bëjë ndonjë magji për të shpëtuar Ilir Metën”, u shpreh ai.
Sa i përket situatës në 30 qershor, Rama tha: “Kjo është diçka jo e mirë për procesin zgjedhor, edhe për vendin po të doni, që ata krijuan të gjithë atë gjullurdi dhe futën në shtëpitë e shqiptarëve një siklet se çfarë do të ndodhë. Ka vetëm një rrugë për t’u përballur, duke e kthyer 30 qershorin në një ditë të shkuljes së keqes së madhe që për 30 vite ka mbajtur peng këtë vend.”