Edhe në konferencën me gazetarët në këtë fundviti, kryeministri Edi Rama ka përsëritur se do t’i qëndrojë vendimit për mbylljen e rrjetit social Tik Tok në Shqipëri. Shefi i qeverisë sqaroi se do të duhen të paktën 6 javë për të venë në zbatim vendimin, i cili do të jetë në fuqi për një vit.
”Kemi një situatë që ju e njihni lidhur me Tik Tok. Ne nuk lëvizim nga vendimi që kemi marrë dhe siç e kam paralajmëruar është një vendim për impelemtinimin e të cilit do të na duhen 6 deri në 8 javë sepse teknologjikisht është shumë e rëndësishme kjo kohë”, tha Rama. Në fjalën e tij 9 ditë më parë, njoftoi se qeveria do të mbyllë TikTok-un për një vit, pasi për të në këtë rrjet social shikon lloj-lloj perversiteti e rrugaçërie.
”Të gjitha shkollat do kenë programe smart. Ky është një program që do të nisë të implementohet. Do mundësojmë që prindërit ta kenë në video fëmijën e vet dhe për çdo problem, drejtoria do kenë mundësi fëmijët me prindërit. Është shumë më i fortë, shumë më ndikues, shumë më tërheqës ai rrugaçi i lagjes që e ka në telefon që quhet TikTok. TikTok-u është rrugaçi i lagjes. Kemi frikë kur fëmija shoqërohet me të kur del nga shtëpia. Ne TikTok-un do ta mbyllim për një 1 vit”, tha Rama.