Rama prezanton nismën e re të qeverisë: Pyetësor për çdo shqiptar

Kryeministri Edi Rama këtë të premte po prezanton vendimet e qeverisë. Në një dalje për mediat ai prezantoi nismën e re të qeverisë për Këshillim Kombëtar.

Marketing

“Në prag të një Viti të Ri mundësish të reja, Qeveria vendosi t’i japë jetë një nisme të re demokratike, duke hapur procesin gjithëpërfshirës të Këshillimit Kombëtar për Shqipërinë. Me një pyetësor drejtuar çdo shqiptari, në Shqipëri apo në botë, do të zhvillojmë një kuvendim popullor, ku duam mendimin tuaj mbi çështje me rëndësi strategjike për vendin, ekonominë, shoqërinë”, tha Rama.

Sipas kryeministrit, temat që shqiptarët do të pyeten janë si për shembull, anëtarësimi i Shqipërisë në BE apo Ballkani i Hapur.

“Është koha t’i lemë pas llogoret e sherrit politik që të hedhim hapa të mëdhenj përpara, duke u këshilluar së bashku për vendime me rëndësi politike, ekonomike e sociale. Le të dëgjojmë njëri-tjetrin si njerëz të këtij vendi të bekuar, si shqiptarë e shqiptare që na ndajnë shumë gjëra, po na bashkon flamuri kuqezi dhe e ardhmja e fëmijëve tanë pa dallim”, tha Rama.