Rama: Shqipëria është për të qenë në funksion të Kosovës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria është në funksion të Kosovës dhe të njohjes përfundimtare të saj me zërin e vetë.

Marketing

Kështu ka thënë Rama në një intervistë për RTSh-në, ku po merr pjesë në punimet e samitit të tretë të Komunitetit Politik Evropian (EPC).

“Jo! Nuk kemi pasur një diskutim specifik për këtë, do të vazhdojmë se kemi edhe darkën e punës. Unë vazhdoj të bëj timen, i qëndroj një për një të gjitha bindjeve të mia, se nuk janë bindje të krijuara spontanisht, nuk janë bindje që burojnë nga emocione apo erëra që fryjnë nga një drejtim apo një tjetër dhe nga zjarre që ndizet apo fiken, por janë bindje që burojnë nga një vizion strategjik i rolit të Shqipërisë në rajon dhe marrëdhënieve të Shqipërisë me Kosovën”, tha Rama, transmeton ATSh.

Kryeministri shprehu bindjen se në funksion të marrëdhënieve me Kosovën, Shqipëria ka bërë më shumë se kurrë ndonjëherë atë që duhet të bëjë.

“Por, Shqipëria nuk është për të mbajtur iso për çdo gjë që thuhet në bazë të analizës, që me të drejtën e tyre, bëjnë në Prishtinë. Shqipëria është për të qenë në funksion të Kosovës dhe të njohjes përfundimtare të Kosovës me zërin e vetë. Nga ana tjetër kam parë po ashtu se si gjithmonë në këto raste shpërthejnë të gjitha kanalet e ujërave të zeza të kinse patriotizmit, që siç thotë ajo fjala ‘është streha e fundit e maskarenjve’”, theksoi Rama.