Rama: Shteti bektashian nuk kërcënon askënd, komunitetet fetare s’kanë arsye për shqetësim

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, paralajmëroi edhe një herë se selia e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane do të ketë status të ngjashëm si Vatikani.

Marketing

Në Konferencën Jubilare të 95-vjetorit të vendosjes së Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve në Shqipëri, ai u dha edhe një mesazh komuniteteve fetare. Rama u tha se ato nuk kanë arsye të shqetësohen.

“S’ka nevojë të mendojë komuniteti mysliman se do të jetë inekzistent, nuk shuhet komuniteti katolik apo ortodoks, ky komunitet është në rrugën e shuarjes, nuk është parashikim, po ndodh para syve tanë, dhe prandaj historia e bektashinjve është në vetvete thirrja imponuese për t’i dhënë selisë përmes një statusi të ngjashëm si të Vatikanit fuqinë e një embleme, e cila nuk do të përçajë askënd, s’do të kërcënojë askënd, s’do vërë në diskutim, se ça nuk dëgjon njeriu nga shqipot kur u shkon mendja për të bërë ndonjë gjë të re. Shqipëria nuk është shtet federal, por unitar”, theksoi ai.

Rama shtoi se dhënia e atij statusi Kryegjyshatës Bektashiane, do të sjellë njerëz nga bota në Shqipëri.

“Komunitetet fetare s’kanë arsye të shqetësohen, trajtim i merituar që ka qendrën botërore në Shqipëri, të tjerët do e kishin shpikur kur s’e kishin, ne e kemi gati që ta lëmë të vdesë. I jep Shqipërisë edhe më shumë dritë, do të thithë këtu më shumë njerëz nga e mbarë bota, mos shiko fenë e tjetrit shiko zemrën e tij, thotë profeti Muhamed, në këto fjalë të një thjeshtësie madhështore qëndron, ne nuk jemi për të ndarë, por për të bashkuar”.