Vetëm në 20 ditët e para të gushtit në Shqipëri kanë hyrë 1 milionë turistë të huaj. Shifrën e ka bërë publike vetë kryeministri Rama, i cili ka publikuar në rrjetet sociale, vajzën nga Austria e cila kur hyri në portin e Sarandës u prit nga Ministri i Turizmit, Blendi Klosi.
“Në njëzetë ditët e para të këtij gushtit, kanë hyrë në Shqipëri plot 1 milionë turistë të huaj ose 16.5 % më shumë, se sa i gjithë gushti i kaluar”, deklaroi kryeministri duke theksuar se rritja që po shënon turizmi vit pas viti, është një arsye e madhe për të besuar gjithnjë e më shumë tek ky vend dhe e ardhmja e tij.
Rama ka bërë apel që patriotizmin të gjithë duhet ta masim me kontributin në pastërtinë e mjedisit, respektimin e rregullave dhe në rrezatimin e traditës shqiptare të mikpritjes.