18:18 | 21 Prill 2021
18:18 | 21 Prill 2021
KF Llapi arriti që të eliminojë FC Prishtinën në gjysëmfinale nga Kupa e Kosovës dhe u kualifikua tutje.
Edhe pse ndeshja e dytë përfundoi me rezultat të barabartë, skuadra llapjane arriti kualifikimin pasi kishte fituar 3-2 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, njofton lajmi.net.
Pas ndeshjes, foli trajneri i Prishtinës, Zekirija Ramadani, i cili tha se nuk e prisnin një skuadër kundërshtare ‘të dobët’ apo në ditën e tyre të keqe.
“Nuk e pritëm që do ta gjejmë Llapin në një ditë kaq të keqe, ku mund të shënojmë dy gola. Përqëndrimi ynë maksimal është në ndeshjen e së dielës. Ngarkesa fizike ishte shumë e madhe tek ne dhe duhej që t’i pushojmë shumicën e futbollistëve. Edhe Lilaj kur mbaroi pjesa e parë kishte një lëndim, që shpresoj të mos jetë shumë serioz. Gjithsesi edhe njëherë urime për ekipin sot, treguan një kualitet të madh dhe treguan që me meritë janë futbollistë të Prishtinës. Ndërsa në anën tjetër Llapit i uroj kualifikimin në finale dhe i dëshiroj suksese më tutje”, tha Ramadani për Art Sport.
Për fund, ai dha komplimente edhe për talentin e ri të Prishtinës, Ernis Topalli, i cili debutoi në këtë ndeshje.
“Sot u eliminuam, por fituam një talent të ri. Ernis Topalli është një 17 vjeçar që ka perspektivë. Ne i përcjellim gjatë gjithë kohës juniorët. Sot ishte debutimi i tij dhe atij tani shumë më shpesh mund t’i japim hapësirë sepse e meriton”, përfundoi ai.
Prishtina do të luajë ndeshjen derbi ndaj Dritës në kuadër të Superligës, si mysafire të dielën./Lajmi.net/