Sergio Ramos thotë se Real Madridi nuk duhet ta përsërisë paraqitjen e bërë gjatë pjesës së dytë të fitores me rezultat 2:1 kundër Granadas nëse dëshiron ta fitojë titullin e La Ligës këtë sezon.
Skuadra e Zinedine Zidane e fitoi një epërsi të shpejtë me dy gola në ndeshjen e së hënës – përmes Ferland Mendy, i cili e shënoi golin e tij të parë për klubin, para se Karim Benzema ta dyfishonte epërsinë.
Trajneri i Granadas, Diego Martinez, i ndryshoi taktikat e skuadrës së tij dhe arriti ta zvogëlojë epërsinë e Real Madridit në fillim të pjesës së dytë, përmes golit të shënuar nga Darwin Machis.
Përkundër tentimeve të Granadas për ta barazuar rezultatin, Real Madridi arriti ta marrë fitoren në këtë ndeshje dhe tani i duhet vetëm edhe një fitore për t’u shpallur kampion i Spanjës.
“Ne e liruam veten pak në pjesën e dytë, kur rezultati ishte 2:0. Në vend se të tentonim t’i jepnim fund ndeshjes me një gol të tretë, ne u relaksuam”, ka thënë Ramos.
“Këto gjëra nuk mund të ndodhin sepse kushdo mund të na mposhtë nëse nuk e mbajmë intensitetin e lartë. Ne duhet të përqendrohemi për 90 minuta. Ne e fituam pjesën e parë, por e humbëm të dytën – kjo është diçka në të cilën duhet të reflektojmë për të ardhmen”.
“Ne duhet të sigurohemi që kjo të mos ndodhë përsëri”.