Raportet e BEI Globale përshkruajnë investime rekord në vitin 2022

Pavarësisht sfidave të mbështetjes së Ukrainës dhe investimeve për rimëkëmbjen e ekonomisë pas pandemisë, BEI Globale, si krahu për zhvillim i Bankës Evropiane të Investimeve, financoi 10,8 miliardë euro në vitin 2022. Kjo është 50% më shumë sesa investoi banka në vendet jashtë BE-së gjatë vitit 2021. Kjo përfshin 1,7 miliardë euro të huadhënies së raportuar më parë të ripërcaktuar për disbursim të shpejtë në Ukrainë, duke ilustruar reagimin e shpejtë të Bankës ndaj vendit të rrezikuar. Në vitin 2022, Grupi i BEI-t vazhdoi gjithashtu të japë mbështetje për kujdesin shëndetësor global, energjinë e përballueshme, aksesin në ujë, burimet e rinovueshme të energjisë dhe rritjen e qëndrueshme kudo. Financimi për Afrikën Veriore dhe Sub-Sahariane arriti në rreth 4,1 miliardë euro. Për vendet e Ballkanit Perëndimor, bankat nënshkruan një kredi prej 824 milionë eurosh për projekte të reja, duke përfshirë grante me vlerë mbi 11 milionë euro, të cilat pritet të mobilizojnë një total prej pothuajse 3,5 miliardë eurosh në investime.

Marketing

“Situata sfiduese gjeopolitike dhe konfliktet që po ndodhin në mbarë botën nuk duhet të na bëjnë të harrojmë objektivin tonë për të promovuar një tranzicion global dhe të drejtë për zero neto,” – tha Werner Hoyer, president i Bankës Evropiane të Investimeve. “Nëse duam të kemi një shans për të përmbushur Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së, ne duhet të krijojmë partneritete dhe aleanca të qëndrueshme në të gjitha nivelet. Në vitin e saj të parë të ekzistencës, BEI Globale dëshmoi se ne po japim një kontribut aktiv për një botë më të barabartë nën flamurin e Bashkimit Evropian, veçanërisht përmes mbështetjes sonë për projektet e Global Gateway.”

Sipas raporteve të biznesit të EIB Global, pritet që falë kredive të nënshkruara vitin e kaluar 11,7 milionë njerëz përfitojnë nga uji i pijshëm i sigurt, 836 milionë njerëz të vaksinuar kundër COVID-19 dhe sëmundjeve të tjera, 141 milionë udhëtime të tjera me transport publik. Kreditë e BEI-t të nënshkruara për projekte të reja në vitin 2022 në Ballkanin Perëndimor pritet të sjellin 150 000 lidhje të brendshme furnizimi me ujë të pijshëm dhe kanalizime, 2,3 milionë udhëtime në vit me hekurudha të reja ose të përmirësuara, 34 600 vende pune të qëndrueshme në ndërmarrjet mikro dhe të vogla.

Sipas këtij raporti, lufta në Ukrainë ka prekur Ballkanin Perëndimor, veçanërisht nëpërmjet çmimeve më të larta të ushqimeve dhe energjisë, të cilat kanë nxitur inflacionin dhe kanë goditur të ardhurat e disponueshme. Të dhënat e sondazhit të BEI-t tregojnë se kërkesa për kredi mbetet e fortë në vazhdën e rimëkëmbjes pas pandemisë, por kryesisht për financimin e kapitalit qarkullues, ku bankat presin që kërkesa për kredi për investime fikse të bjerë. Gjithashtu, oferta e kredisë është përkeqësuar për shkak të kushteve më të shtrënguara të financimit dhe pritet të dobësohet më tej.

“Struktura e re organizative në varësi të BEI Globale na ndihmoi të forcojmë praninë tonë në Ballkanin Perëndimor dhe të mbështesim partnerët tanë lokalë në zbutjen e ndikimit të sfidave të shumta. Së bashku me Komisionin Evropian, ne jemi të lumtur të mbështesim rajonin në adresimin e nevojave të tij për zhvillimin urban dhe infrastrukturor në mënyrë të qëndrueshme financiarisht, e cila përfshin të gjithë shoqërinë dhe ka efikasitet energjetik.” – tha zëvendës-presidentja e BEI-t, Lilyana Pavlova.