Raporti i KE-së është pozitiv, vlerësohet përparimi i RMV-së dhe Shqipërisë

Në raportin shtesë të Komisionit Evropian kushtuar Maqedonisë se Veriut dhe Shqipërisë, vendi është vlerësuar me notë pozitive për përmbushjen e reformave në gjyqësor, administratë dhe në shërbimet e inteligjencës dhe sigurisë.

Marketing

Në raportin e KE-së thuhet se vendi ka realizuar progres domethënës në të gjitha fushat dhe përsëri kërkon nga Këshilli që të sjelle vendim pozitiv për hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian për të dyja vendet.
“Në përgjithësi, Maqedonia e Veriut i rriti angazhimet dhe tregoi rezultate evidente në sferat kyçe të përcaktuara me përfundimet e Këshillit nga qershori i vitit 2018. Si rezultat i kësaj, baza e rekomandimit të Komisionit e vitit 2019 për hapjen e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë është ende e vlefshme”, thonë nga Komisioni Evropian.

Ndër arritjet në gjyqësor në raport përmenden edhe shkarkimi i 6 gjykatësve, bartjen lëndëve nga ish Prokuroria Publike Speciale në Prokurorinë e rregullt, dhe sjelljen e ligjit për Prokurori publike me 2/3 e votave të shumicës parlamentare. Komisioni Evropian në raport ka përshëndetur edhe shkarkimin e ish kryetarit të gjykatës Supreme, Jovo Vangellovski.
Bujar Osmani, zv/kryeministër për çështje evropiane u shpreh se përmbajtja e raportit të KE-së është shenjë optimizmi serioz se në mars do të marrim vendim për hapje te negociatave. Ai pret që do të ketë vendim për të dy vendet edhe për Shqipërinë edhe për Maqedoninë por rrjedhoja e bisedimeve mund të dalloje.

“Nga informacionet që kemi, nga vizitat e mija në Paris, Vienë dhe në Zagreb janë se raporti dhe metodologjia e re po pranohet nga vendet anëtare pa asnjë vërejtje dhe kushti i dytë është tani po hiqet edhe dilema ndaj pjekurisë tonë për fillimin e bisedimeve me këtë raport me të cilën konfirmohet edhe njëherë pjekuria për fillimin e bisedimeve bile edhe me argumente shtesë që i kemi bërë”, tha Osmani.

Bojan Mariçiq, koordinator për euro integrime tha se tani është radha e Këshillit Evropian që ta marrë parasysh këtë raport dhe t’i hape bisedimet për anëtarësim në BE, e ta shlyeje gabimin e tetorit 2019.

“Ajo që ishte puna jonë, ne e përfunduam dhe ajo ishte me rëndësi për ne, sepse nuk ka asnjë justifikim asnjë arsye që të mos sillet vendimi më shpejtë. Ky raport është vula e reformave tona, vulë e sukseseve tona në kushte të vështira. A do të ndodhë kjo në mars apo më vonë, kjo është çështje e strategjisë të vendeve të BE-së”, deklaroi Bojan Mariçiq.

Raporti shtesë bashkë me metodologjinë e zgjerimit të BE-së pritet të shqyrtohet në takimin e Këshillit Evropian në mars. Në tetor të vitit 2019 vendi nuk morri datë për fillim të negociatave për shkak se Franca ishte skeptike për zgjerimin e Bashkimit Evropian.

Ndërsa në një deklaratë kohës së fundit presidenti i francez Makron tha se nëse rezultatet e raportit të Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, do të ishin pozitive, atëherë edhe ai do t i mbështesë vendimin për hapje të negociatave.