Raporti i OBSH-së: 4 në 5 persona me hipertension

Ndikimi global i presionit të lartë të gjakut prek 4 në 5 persona kur “nuk trajtohen siç duhet”, thuhet në një raport të publikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë të martën.

Marketing

Raporti, i cili është i pari i bërë ndonjëherë mbi ndikimin global të hipertensionit, thekson se “rritja e numrit të pacientëve të trajtuar në mënyrë efektive për hipertension mund të parandalojë 76 milionë vdekje, 120 milionë goditje në tru, 79 milionë sulme në zemër dhe 17 miliona raste të dështimit të zemrës nga tani deri në vitin 2050”.

Medikamente të përballueshme, të sigurta, të arritshme dhe ndërhyrje të tjera, si reduktimi i natriumit, mund të ndihmojnë në parandalimin e shumicës së sulmeve në zemër dhe goditjeve në tru në mbarë botën, raporton aa.

Michael R. Bloomberg, ambasadori global i OBSH-së për sëmundjet dhe lëndimet jo të transmetueshme, tha se “trajtimi i hipertensionit përmes kujdesit parësor shëndetësor do të shpëtojë jetë, ndërsa gjithashtu do të kursejë miliarda dollarë në vit”.

Hipertensioni prek një në tre të rritur në mbarë botën, duke paraqitur një kërcënim të rëndësishëm për shëndetin e tyre duke rritur rrezikun e goditjes në tru, sulmit në zemër, dështimit të zemrës, dëmtimit të veshkave dhe sëmundjeve të tjera të lidhura.

Sipas raportit, numri i individëve të prekur nga hipertensioni është rritur ndjeshëm, duke u dyfishuar nga 650 milionë në vitin 1990 në 1.3 miliardë në vitin 2019.

Gati gjysma e të prekurve në mbarë botën nuk janë në dijeni të presionit të lartë të gjakut dhe mbi tre të katërtat e të rriturve me hipertension jetojnë në vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Shteteve u kërkohet të kenë prioritet parandalimin, zbulimin e hershëm dhe menaxhimin efikas të hipertensionit si pjesë e paketës së tyre kombëtare të përfitimeve shëndetësore në nivelin e kujdesit parësor.

“Hipertensioni mund të kontrollohet në mënyrë efektive me regjime të thjeshta mjekimi me kosto të ulët, dhe megjithatë vetëm rreth një në pesë persona me hipertension e kanë kontrolluar atë”, tha drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

“Programet e kontrollit të hipertensionit mbeten të neglizhuara, nën prioritet dhe shumë të nënfinancuara,” shtoi ai.