Raportohet se Trumpi po përgatitet ta njohë shtetin palestinez

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, po përgatit deklaratë gjatë javës së ardhshme me të cilën do ta njohë shtetin e Palestinës, por pa praninë e Hamasit, ka raportuar me burime agjencia amerikane që mbulon Lindjen e Mesme, “The Media Line”. Lajmi është transmetuar edhe nga një prej mediumeve më të mëdha izraelite, “The Jerusalem Post”.

Marketing

Trumpi do të marrë pjesë në samitin e Gjirit – SHBA që do të mbahet javën e ardhshme në Riad të Arabisë Saudite.

Një burim diplomatik nga Gjiri i ka thënë “The Media Line” se Trumpi në këtë samit do të lëshojë deklaratë në lidhje “me themelimin e shtetit të Palestinës dhe njohjen e tij nga Amerika, por pa praninë e Hamasit”.

“Nëse bëhet një njoftim për njohjen amerikane të Shtetit të Palestinës, do të jetë deklarata më e rëndësishme që do të ndryshojë ekuilibrin e fuqisë në Lindjen e Mesme, dhe më shumë vende do t’i bashkohen Marrëveshjeve të Abrahamit”, ka thënë ky burim.