Milot Rashica është shprehur i lumtur me golin e shënuar në ndeshjen e parë pas lëndimit muskulor që e la jashtë fushës për një muaj të tërë, duke i ndihmuar Werder Bremenit ta marrë një pikë nga udhëtimi në Dortmund të shtunën.
Ylli i Kombëtares së Kosovës shënoi gol të mrekullueshëm në barazimin 2:2 të Werderit kundër Dortmundit në Signal Iduna Park.
23-vjeçari luajti 73 minuta duke treguar formë të mirë, që është dëshmi se është riaftësuar plotësisht nga lëndimi i muskulit në kofshe, i cili e mbajti jashtë fushës për një muaj.
“Sot treguam frymë të madhe ekipore! Jam i lumtur që shënova në rikthimin tim në lojë”, shkroi Rashica në llogarinë e vet në Instagram.
Anësori nga Vushtrria u lëndua në një ndeshje të Werderit ndaj Fortuna Dusseldorfit në Bundesligë kah mesi i muajit gusht. 23-vjeçari e tërhoqi muskulin në kofshë të këmbës.
Ai u rikthye në humbjen e Werderit kundër RB Leipzig fundjavën e kaluar, por nuk u aktivizua fare duke e kaluar tërë ndeshjen në stol.
Si pasojë e këtij lëndimi, Rashica i humbi katër ndeshje me ekipit dhe dy me Kombëtaren e Kosovës.
Ai mungoi në fitoren e Kosovës 2:1 kundër Republikës së Çekisë më 7 shtator në Prishtinë, si dhe në humbjen e parë të Kombëtares dardane pas plot 15 ndeshjeve, kundër Anglisë tri ditë më vonë në Southampton.