Rashica tregon dy synimet e mëdha: Kualifikimi i Kosovës në EURO 2020 dhe mbijetesa me Werderin

Sulmuesi kosovar Milot Rashica ka dy synime të mëdha deri në verën e këtij viti.

Marketing

Rashica fillimisht synon që me Përfaqësuesen e Kosovës të sigurojë pjesëmarrjen në “Euro 2020” gjatë muajit mars, kur do të mbahet plejofi i Ligës së Kombeve dhe pastaj të ndihmojë Werder Bremenin që të mbetet pjesë e Bundesligës edhe për edicionin 2020/21.

Për këto synime, Rashica ka folur të premten gjatë një interviste për mediumet gjermane nga kampi stërvitor në Spanjë, ku po përgatitet me Werderin për pjesën e dytë të stinorit.

Sulmuesi 23-vjeçar është njëri prej lojtarëve kryesorë si te Kosova ashtu edhe te Werder Bremeni. Përfaqësuesja e Kosovës në fund të muajit mars do të luajë në plejofin e Ligës së Kombeve dhe nëse arrin të triumfojë, atëherë do të jetë pjesëmarrëse në “Euro 2020”.

Në gjysmëfinale, Kosova do të përballet me Maqedoninë e Veriut, ndeshje kjo që zhvillohet në Shkup më 26 mars. Në rast të triumfit në këtë ndeshje, atëherë Kosova në finale do ta presë fituesin e gjysmëfinales tjetër ndërmjet Gjeorgjisë dhe Bjellorusisë.

Finalja e plejofit e Ligës së Kombeve do të luhet më 31 mars, në Gjeorgji ose Bjellorusi.

Rashica ka insistuar se Kosova ka gjasa të mëdha të kualifikohet në evropianin e këtij viti pas paraqitjeve të mira që ka treguar si në Ligën e Kombeve ashtu edhe në eliminatoret e rregullta për “Euro 2020”.

Në kualifikimet për evropian, Kosova përfundoi e treta në Grupin A me 11 pikë, duke mbetur pas Anglisë (21) dhe Çekisë (15), që tashmë kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë ngjarje.

Marketing