Rasti i Ajet Rexhepit – një shembull i ndritshëm në angazhimet për mosdiskriminim gjuhësor

Drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës (AZGJ), Ylber Sela, realizoi
takim pune me Ajet Rexhepin, këshilltar për ekonomi vendore në komunën e
Gazi Babës.

Marketing

Drejtori Sela shprehu mirënjohjen për vizitën dhe theksoi se kjo paraqet
kënaqësi të veçantë që është nikoqir i z. Rexhepit, si një njeri që
simbolizon guxim, integritet dhe këmbëngulje në realizimin e të drejtës
së tij gjuhësore qytetare në mjedisin ku ai punon.

Pas disa vitesh betejë gjyqësore, rasti i z. Rexhepit mori epilog
pozitiv, ku në rastin e tij, si nga Gjykata e Shkallës së Parë, ashtu
edhe nga Gjykata e Apelit, u vërtetua shkelje e së drejtës së trajtimit
të barabartë, përkatësisht diskriminim i vërtetuar në bazë gjuhësore dhe
përkatësie etnike në sferën e punës dhe të marrëdhënieve të punës.

Të dy palët u pajtuan se një epilog i këtillë gjyqësor është shembull që
do të ndikojë pozitivisht, jo vetëm në zbatimin e praktikës gjyqësore
edhe në raste tjera të ardhshme të këtij karakteri, por edhe në
parandalimin, afirmimin dhe përparimin e trajtimit të barabartë dhe
mosdiskriminimit në drejtim të mbështetjes së angazhimeve qeveritare për
ndërtim të një mjedisi shoqëror që i respekton, mbron dhe përparon të
drejtat gjuhësore të qytetarëve. Gjuha shqipe është gjuhë zyrtare dhe
garantohet me ligj dhe çdokush që në të ardhmen do të diskriminohet në
bazë gjuhësore duhet të ankohet në institucionet përkatëse.