Rasti i ndalimit të shamisë në shkollë, Gjini: Gabime të tilla nuk bën të ndodhin në të ardhmen

Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini dhe myftiu i Kosovës Naim Tërnava kanë reaguar lidhur me përdorimin e sinjalizimit për ndalim të bartjes së shamisë krahas armëve, alkoolit e duhanit në derën e shkollës së mesme teknike në Gjakovë, raporton Anadolu Agency (AA).

Marketing

Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, nga i cili dje deputetja Duda Balje kërkoi llogari për atë që ndodhi në Gjakovë, në një reagim të bërë publik në rrjetet sociale, sot tha se Gjakova është shembull i rrallë i bashkëjetesës fetare vëllazërore.

Gjini tha se gabimet sikurse ai në shkollën e mesme teknike “Nexhmedin Nixha” në Gjakovë nuk duhet të përsëriten më.

“Gabimet dhe mosperceptimi i ndjeshmërive nuk mund të ndikojnë te asnjë qytetar i komunës së Gjakovës. Këshilli i Bashkësisë Islame të Kosovës në Gjakovë është institucion jashtëzakonisht i respektuar dhe në mënyrën më të mirë të mundshme i përfaqëson ndjenjat e besimtarëve myslimanë të komunës sonë. Jemi dakorduar që gabime të tilla si ai dje nuk bën të ndodhin në të ardhmen”, tha Gjini.

Ai bëri të ditur se me këtë rast ka pritur në zyrën e tij kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës në Gjakovë, Valon Myrtaj dhe nënkryetarin e këtij institucioni të cilin e cilësoi si institucion të respektuar fetar, duke i falënderuar për vizitën dhe bashkëpunimin e shkëlqyer me ta.

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava ka dënuar aktin e paralajmërimit për ndalimin e shamisë në shkolla krahas armëve, alkoolit e duhanit.

Myftiu ka thënë se nuk do të besojë se kjo gjë është bërë me qëllim në prag të Muajit të Ramazanit dhe se po ashtu është bërë me ndonjë qëllim të caktuar.

Ai tha se beson se një gjë e tillë është lëshim, sepse, në asnjë rast nuk mund të barazohet shamia me armë, apo shamia me alkool dhe gjëra të tjera negative.

“Më vjen mirë që përgjegjësja për arsim në Komunën e Gjakovës dhe vetë komuna ka reaguar me kohë dhe ky rast do të mbetet si një rast i izoluar deri sa Bashkësia Islame e Kosovës rastet e tilla ka dënuar dhe dënon në vazhdimësi ngase ne jemi që mes nesh, të gjithëve që jetojnë në këtë nënqiell të mbretërojë toleranca, harmonia, afrimi, besimi i ndërsjellë”, tha Tërnava.

Në derën e shkollës së mesme teknike “Nexhmedin Nixha” në Gjakovë krahas paralajmërimeve të vendosura për ndalimin e futjes me armë, alkool, duhan, është vendosur edhe një mesazh sinjalizues që ndalon hyrjen për vajzat me shami, e një gjë e tillë u bë publike të enjten në rrjetet sociale.

Kjo zgjoi reagime të shumta të enjten tek qytetarët e Kosovës, të cilët kërkuan që një veprim i tillë të eliminohej, ngase krahasimi i një simboli fetar si shamia me armët dhe me alkoolin dhe duhanin është fyerje për komunitetin mysliman.

Në Kosovë nuk ekziston ndonjë ligj që kufizon lirinë e vajzave dhe grave muslimane për të shprehur besimin e tyre fetar përmes veshjes, por, një ndalesë e tillë zbatohet vetëm me udhëzimin administrativ të Ministrisë së Arsimit.