Rasti i parë me koronavirus në Francë mund të ketë qenë në dhjetor

Një pacient i diagnostikuar me pneumoni, më 27 dhjetor pranë Parisit, ka pasur në fakt koronavirus, tha mjeku i tij.
Dr. Yves Cohen i tha medias fraceze se pështyma e marrë atëbotë nga ai, është testuar së voni dhe ka dalë pozitive për koronavirus.

Marketing

Pacienti, një burrë rreth 50 vjeç, i cili është shëruar plotësisht, tha se nuk ka ide se ku mund ta ketë marrë virusin, pasi nuk ka qenë në ndonjë zonë të infektuar.

Lajmi që transmeton BBC do të thotë se koronavirusi mund të ketë arritur në Francë një muaj më herët seç është menduar.

Sipas konfirmimeve të deritashme, tre rastet e para me koronavirus në Francë janë regjistruar më 24 janar.

Prej tyre, dy kanë qenë në qytetin Vuhan të Kinës – ku koronavirusi është zbuluar për herë të parë – ndërsa i treti ka qenë një anëtar i ngushtë i familjes.

Mjeku Cohen tha se e ka alarmuar Agjencinë Kombëtare të Shëndetit dhe se u ka bërë thirrje virologëve të tjerë që të ritestojnë mostrat e marra në spitalet e tyre.

Franca është njëri nga vendet më të prekura në Evropë nga koronavirusi.

Afro 170,000 njerëz janë infektuar atje, ndërsa mbi 25,000 kanë humbur jetën.

Marketing