Rasti “Kumanova”, DPS: Jo transferim, për shkaqe sigurie

Nuk do të lejohet transferimi i të dënuarve për logjistikë në rastin “Lagjja e trimave”. Nga Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve arsyetohen se kjo bëhet për shkaqe sigurie.

Marketing

“Është bërë vlerësim i sigurisë dhe për çështje sigurie tani për tani ata persona për të cilët konkretisht po flisni nuk do t’iu bëhet transferi.”,- tha Marjan Spasovski nga Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve.

Por, sa të sigurta janë burgjet? Aksioni i një dite më parë në Idrizovë tregoi se të burgosurit mbanin pa leje 37 thika, 50 telefona mobil, materie pluhur dhe substanca të tjera psikotrope të palejuara.

Ministri i Drejtësisë, Tupançevski, edhe pse ftoi opinionin të mos shpejtojë me paragjykime, paralajmëroi përgjegjësi për çdokënd që ka lejuar hyrjen në burgje të gjërave të ndaluara.

“Sa i përket përgjegjësisë ndoshta nuk duhet të prejudikojmë, organet kompetente janë këtu, i mbledhin dëshmitë, analizojnë dhe besoj se kjo qasje do të ketë zgjidhjen e saj juridike. Askush nuk do të kursehet nga përgjegjësia. Bëhet fjalë për armë të ftohta etj. Nuk bëhet fjalë për formë të lehtë të krimit apo procedurë disiplinore. Rasti do të dokumentohet dhe do të ketë përgjegjësi jo të karakterit disiplinor.”,- u shpreh ministri i drejtësisë, Nikolla Tupançevski.

Nga Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve theksojnë se aksione të tilla do të ketë në të gjitha shtëpitë përmirësuese ndëshkuese.

“Nuk duam ta komprometojmë hetimin. Pas mbledhjes së dëshmive, nëse vërtetohet përgjegjësi pa marrë parasysh për kë bëhet fjalë, do të kërkohet dorëheqje dhe përgjegjësi. Batisja u bë në më shumë reparte, jo vetëm tek ata me rrezik të lartë që janë të dënuar për terrorizëm etj.”,- theksoi Marjan Spasovski nga Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve.

Teksa synojnë të vendosin rend në burgje, autoritetet theksojnë se asnjë ekip televiziv nuk mund të hyjë të xhirojë brenda për shkaqe sigurie.