Bisedat e përgjuara për rastin “Monstra”, me propozim të Prokurorisë Publike, në procedurën e mëtutjeshme bartin me vetë dëshmitarë të rinj që u përmendën gjatë bisedave. Në listën e dëshmitarëve të propozuar bën pjesë edhe Sinisha Aleksovski – pjesëtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Përmes avokatëve të tyre prindërit dhe të afërmit e të pesë viktimave të Smillkovës, propozuan që si dëshmitar të thirret edhe Lupço Todorovski – Radnik, ish – drejtor i Drejtorisë së Pestë në MPB. Todorovski, përpos që përmendet në “bombat” e PSP-së, ai në fillim të rigjykimit të “Monstrës” u përmend edhe nga i akuzuari, Haki Aziri, si personi i cili e ka intervistuar.
Si dëshmitar kërkohet edhe Zoran Trajkovski, i cili nga leximi i transkriptave të prezantuara nga prokurorja, Fatime Fetai, dëgjohej se si i ka alarmuar institucionet për këtë ngjarje, se ka folur me Sinisha Aleksovskin. Si dëshmitar ftohet edhe prifti i kishës i cili sipas familjarëve duhet të tregojë se disa ditë para vrasjes së fëmijëve të tyre në muret e kishës është shkruar “Këto Pashkë do t\i keni të përgjakshme”.
Njëherit familjarët e viktimave edhe zyrtarisht kërkuan nga Gjykata Penale e Shkupit që kryeministri, Zoran Zaev, të ftohet si dëshmitar. Listë dëshmitarësh ka propozuar edhe avokati mbrojtës, Naser Raufi, i cili njëherit informoi se nuk përfaqëson më të akuzuarit në arrati, Afrim Ismailoviqin dhe Alil Demirin.
Gjatë seancës gjyqësore u prezantua edhe video incizimi nga një dasmë e 19 shkurtit 2012, ku shihet se i akuzuari, Sami Luta, është me flokë të shkurta dhe jo të gjata, ashtu siç e ka përshkuar dëshmitari i rrezikuar. Incizimi i prezantuar nuk ishte bindës për prokurorët dhe të afërmit e viktimave. Qëndrimi i tyre ishte se pamjet në fjalë nuk tregojnë qartë se Luta ka pasur flokë të shkurta, ndërsa kontestuese ishte edhe besueshmëria e videos. Për këtë qëllim trupi gjykues propozoi që në seancën e radhës të marrë pjesë pronari i fotostudios që ka kryer incizimin.
Seanca e radhës për këtë lëndë është caktuar të mbahet për më 14 janar të vitit 2020.