Prokuroria Themelore Publike dorëzon dy aktakuza në Gjykatën Penale kundër pesë personave, sa i takon keqpërdorimeve në Onkologji. Akuza e parë i drejtohet ish-drejtorëve të përgjithshëm dhe ekonomikë, Nino Vasev dhe Nehat Nuhiut.
Ata akuzohen për keqpërdorime të detyrës zyrtare. Aktakuza e dytë shënjestron katër mjekë për keqtrajtimin e pacientëve. Pjesa më e madhe e veprave penale është kryer prej vitit 2018 deri në vitin 2022.
“Aktakuza e parë ka të bëjë me punën ekonomike të klinikës dhe përfshin dy persona. I akuzuari i parë, në cilësinë e personit zyrtar drejtor i përgjithshëm medicinal dhe i akuzuari i dytë, drejtor ekonomik. Ata akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, mashtrime dhe keqpërdorime. Me këto veprime ata kanë përfituar pronë dhe kanë dëmtuar buxhetin e shtetit për mbi 2.2 miliardë denarë. Sa i takon aktakuzës së dytë, përfshin katër mjekë onkologë dhe ka të bëjë me trajtimin e pacientëve.”, – deklaroi prokurorja, Ana Gogovska Jakimovska.
Nga hetimet është konstatuar se 29 pacientë kanë marrë terapi joadekuate, ndërkaq 16 të tjerë ilaçe të panevojshme.
“Terapia nuk është dhënë në përputhje me protokollet për shërimin e këtyre sëmundjeve. Hetimi ka siguruar dëshmi të cilat vërtetojnë dyshimet bazë se në Klinikën e Onkologjisë janë kryer keqpërdorime dhe abuzime me terapinë e shtrenjtë onkologjike.”, – theksoi kryeprokurori, Lupço Kocevski.
Hetimi për skandalin në Onkologji ka nisur pas hetimeve gazetareske rreth shitjes së terapisë citostatike e të cilën duhej ta merrnin pacientët e Onkologjisë. Madje vitin e kaluar në Kuvend u formua komision anketues për të gjetur përgjegjësinë politike për keqpërdorimet në Onkologji.